Problemet me tekstet shkollore

19/09/2014 00:00

Artan Mullaj – Natyrshëm, disa shqetësime me tekstet shkollore në
qarkullim kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Këto probleme
ishin të pritshme. Me gjithë vullnetin e mirë të MAS-it për të
përmirësuar me reforma të ngutshme situatën e krijuar prej degradimit
tërësor të ALTERTEKSTIT, degradimi është në një shkallë të tillë që
kërkon ndërhyrje kapitale.

Ndërhyrje jo thjesht për të shkulur një sistem nga rrënjët dhe për ta zëvendësuar atë me një tjetër, por ndërhyrje për të krijuar fillimisht një mentalitet të ri dhe një strategji të re në arsim dhe në mënyrën se si duhet prodhuar libri shkollor në Shqipëri.

Është e qartë që, sado e përsosur të jetë një shtëpi botuese private, ajo s’mund të ketë as mundësinë, as kapacitetin, as përgjegjshmërinë dhe as ndjeshmërinë publike që ka shteti për prodhimin e një libri shkollor. Dëshmi e sigurt e kësaj janë edhe broçkullat e shkruara në tekstet me të cilat mësojnë fëmijët tanë. Logjika është fare e thjeshtë. Botuesit privatë të teksteve publike janë biznese private dhe funksionojnë si të tilla. Ata nuk mund të jenë hartues apo zbatues të teksteve të përshtatshme për shkollën publike, për sa kohë që, më shumë se cilësia shkencore e librit, natyrshëm, u intereson fitimi që do të kenë nga shitja e tij. Këtë gjë e vërteton fakti që libri shkollor në përgjithësi është i dobët shkencërisht dhe nga pikëpamja pedagogjike, dhe shumë i arrirë nga pikëpamja estetike.

Në fakt, në hartimin e teksteve shkollore sipas Altertekstit nuk konkurrojnë drejtpërdrejt autorët e librave, por shtëpitë botuese. Kështu, duke shtuar edhe hapësirën korruptive që politika i dha këtij sistemi, sot në Altertekst nuk konkurrojnë vlerat, por ambicia e bizneseve private për fitime.

Shqipëria është ende e brishtë për t’ia besuar edukimin dhe civilizimin ambicieve të kapitalit apo babëzisë së tij.

Cilësia shkencore e librit, siç po diskutohet edhe sot, në jo pak raste është përtokë dhe kjo është e shpjegueshme. Asnjë shtëpi botuese private nuk mund të ketë kapacitetin e nevojshëm dhe vullnetin e mjaftueshëm që të menaxhojë prodhimin e një teksti shkollor, për cilësinë e të cilit është e interesuar drejtpërdrejt e gjithë shoqëria. Në asnjë rast ato s’mund të prodhojnë librin më të mirë të mundshëm, sepse nuk mund të kenë asnjëherë mekanizmin e përshtatshëm përzgjedhës të autorëve më të mirë të mundshëm, që do të shkruajnë librat shkollorë. Por edhe sikur ta kishin këtë mekanizëm, vënia në veprim e tij do të binte ndesh me ligjet e marketingut, sepse botuesit privat nuk i intereson edhe aq cilësia e punës që do të bëjë autori i përzgjedhur prej saj, sesa pagesa që do t’i bëjë autorit të tij për këtë punë.

Furrxhiu është i interesuar të blejë gjithmonë miellin (lëndën e parë) që është më afër dhe më lirë. Edhe botuesi privat është i interesuar të gjejë autorët më të lirë. Kjo është arsyeja përse nëpër librat e fëmijëve gjenden fraza të tilla si: “Princi ktheu kokën dhe e pa si një toç”.

Praktikisht është e pamundur që një shoqëri, komunitet apo organizatë e kufizuar, me administratë të kufizuar, siç janë shumica e botuesve në Shqipëri, të mund të realizojë edhe përzgjedhjen më të mirë të autorëve, edhe redaktimin më të mirë, edhe faqosjen më të mirë të një libri.

Parimisht dhe praktikisht librin më të mirë mund ta prodhojë dhe ta kontrollojë vetëm shteti, duke ngritur mekanizmat përkatës për këtë gjë.

Si baza e edukimit të një shoqërie, rendi, drejtësia, shërbimet publike, civilizimi, edukimi, (pra edhe teksti shkollor), janë disa nga arsyet themelore përse u krijuan shtetet. Asnjë subjekt tjetër, përveç shtetit, nuk mund të ketë dhe nuk do ta ketë ndjeshmërinë publike të vetë shtetit për të prodhuar tekstin shkollor më të mirë. Asnjë subjekt tjetër nuk do të jetë më i interesuar sesa shteti për cilësinë shkencore të një libri shkollor, sepse arsimimi, civilizimi, përmirësimi i kulturës së një kombi është detyrë dhe përgjegjësi e ngutshme e një shteti, ashtu siç është detyrë e menjëhershme shëndetësia publike, integriteti i kufijve, rendi publik.

A mund të sigurohen dhe të përmbushen këto detyrime nga subjekte të veçanta private?

Sigurisht që jo!

Teksti shkollor duhet t’i rikthehet shtetit, të monopolizohet prej tij, ashtu siç ndodh në mjaft vende të përparuara. Shteti duhet të jetë pronari i vetëm i librit me të cilin mësojnë fëmijët e Shqipërisë. Ai duhet të krijojë mekanizmat e duhur edhe për prodhimin e tekstit shkollor më të mirë, edhe për përzgjedhjen e autorëve më të mirë që ka vendi.

Top Channel