Refuzimi i pavarësisë ngre paundin

19/09/2014 00:00

Paundi ka prekur të premten kuotën më të lartë në dy vjet kundrejt euros
dhe më të lartën në dy javë kundrejt dollarit amerikan, pasi Skocia
votoi kundër pavarësisë.

Në bursën “FTSE 100”, indeksi i aksioneve të kompanive të ndryshme u hap gjithashtu me rritje, duke u ngritur me 0.7 për qind në 6.86.

Në tregun aziatik, paundi u rrit me 0.43 për qind duke arritur në 1.274 euro. Valuta britanike u rrit gjithashtu me 0.8 për qind në 1.652 dollarë kundrejt dollarit amerikan, para se të pësonte një rënie të lehtë pak më vonë.

Ndërkohë, Banka Mbretërore e Skocisë konfirmoi se nuk do të transferojë në Londër zyrat qendrore të saj tani që pavarësia u refuzua.

“Njoftimi që bëmë për të lëvizur zyrat tona në Angli ishte pjesë e një plani për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e klientëve tanë, stafit dhe aksionerëve në rast se do të votohej pro pavarësisë”, njoftoi banka.

Edhe institucioni tjetër financiar, Lloyds Banking Group konfirmoi qëndrimin në Skoci. “Grupi ynë është krenar për trashëgiminë e fuqishme skoceze dhe mbetet i angazhuar të ruajë praninë e tij të theksuar në Skoci. Ne do të mbetemi të fokusuar për të ndihmuar pronarët e shtëpive dhe bizneseve në Skoci dhe mbarë Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në një deklaratë.

Aksionet e këtyre dy bankave në bursën e Londrës u hapën me rritje, përkatësisht BMS me 3 për qind, ndërsa LBG me rreth 2 për qind. Në javët e fundit paundi kishte pësuar një rënie drastike nga frika se Skocia do të votonte në favor të pavarësisë.

“Rreziku i pastër për tregjet valutore ishte votimi pro dhe kjo do të kishte shkaktuar një rënie të ndjeshme. Tani tregjet do të kthehen tek rritja, duke u fokusuar në forcimin e themeleve të ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar”, deklaron ekonomisti Jeremy Cook.

Ndërsa analistë të tjerë vlerësojnë se rezultati i referendumit uli rrezikun që Britania të braktiste Bashkimin Evropian. “Populli skocez është më tepër në favor të qëndrimit në BE, ndryshe nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar ku shumica mbështesin daljen. Në tërësi, përçarja e madhe është shmangur dhe tani palët mund të fokusohen në një rekuperim të fuqishëm të ekonomisë”, tha ekonomisti Azad Zangana.

Sipas tij, tani Banka e Anglisë ka gjasa të avancojë me rritjen e normave të interesit në fillim të vitit të ardhshëm, në mungesë të pasigurive politike.

Top Channel