Franca kryen sulmet e para kundër ISIS

19/09/2014 00:00

Avionët luftarakë francezë kanë kryer sulmet e para kundër militantëve
të Shtetit Islamik në Irak, ka njoftuar zyra e presidentit Francois
Hollande.

Në një deklaratë për shtyp tuhet se avionët kanë sulmuar një depo logjistike të ISIS në veri-lindje të Irakut. Më herët Franca kishte kryer fluturime mbikëqyrëse mbi Irak dhe kishte furnizuar me armë luftëtarët kurdë.

Presidenti Hollande deklaroi të enjten se kishte rënë dakord me një kërkesë të palës irakene për mbështetje nga ajri, por vetëm kundër objektivave të ISIS-it në Irak dhe jo në Sirinë fqinje. Ai insistoi gjithashtu se nuk do të dërgojë trupa tokësore.

Ditën e premte, zyra e zotit Hollande deklaroi se avionë të tipit “Rafale” kanë kryer sulme dhe kanë goditur e shkatërruar tërësisht objektivin.

Burimi zyrtar nuk dha detaje mbi tipin e materialeve të shkatërruara apo vendndodhjen e saktë të depos. “Operacione të tjera do të vijojnë në ditët në vazhdim”, vijon më tej deklarata.

Presidenti francez vizitoi Irakun javën e kaluar dhe në Paris u mbajt në fillim të javës një konferencë ndërkombëtare lidhur me krizën e ISIS.

Grupi xhihadist kontrollon zona të gjera të Sirisë dhe veriut të Irakut. Për ndalimin e ofensivës së tij Shtetet e Bashkuara kanë kryer mbi 170 sulme ajrore në Irak që prej mesit të gushtit.

Ditën e enjte, Senati amerikan miratoi planin e presidentit Barack Obama për të armatosur dhe stërvitur rebelët e moderuar sirianë për të luftuar ISIS-in.

Pritet që sulme ajrore amerikane të kryhen edhe në Siri, ndërkohë që Obama ka është zotuar se nuk do të autorizojë sulme tokësore në asnjë prej dy vendeve.

Top Channel