Cameron: Të ndërtojmë një Britani më të mirë

19/09/2014 00:00

Kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar se është koha që Mbretëria e Bashkuar të bëhet më e fortë dhe të ecë përpara.

Pak momente pasi rezultatet treguan se skocezët votuan kundër pavarësisë, Cameron tha se ishte i kënaqur me rezultatin, që sipas tij i dha zgjidhje një çështjeje për të paktën një gjeneratë.

Duke folur jashtë Downing Street, ai tha se tani ka shanse konkrete për të ndryshuar për mirë Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa shtoi se, duhet një zgjidhje e drejtë dhe e balancuar me deputetët anglezë për të vendosur mbi ligjet që do të aplikohen në Angli.

Deklarata e zotit Cameron erdhi pasi Skocia votoi bindshëm për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, me 2.001.926 vota kundrejt 1.617.989, ose 55 me 45 për qind.

Votimi ishte kulmimi i një fushate dyvjeçare. Referendumi do të pasohet nga bisedimet për t’i dhënë Skocisë më shumë pushtet. Zoti Cameron mbrojti vendimin për mbajtjen e referendumit, duke thënë se ishte një e drejtë që duhej respektuar.

Sipas tij, ligjvënësit britanikë kanë rënë dakord për të shqyrtuar procesin që i jep Skocisë më shumë pushtet për taksat, shpenzimet dhe mirëqënien, përmes një projektligji që do të miratohet nga fundit i janarit 2015.

Ndërsa laburisti Ed Miliband falenderoi liderin skocez të “Beter Together” për fushatën e tij pro bashkimit. “Pavarësisht se njerëzit votuan “pro” apo “kundër”, duhet ta kemi të qartë se ky ishte një votim për ndryshimin”, tha Miliband.

Ndërkohë, kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, William Hague i është kërkuar që të hartojë planet për atë që mund të jetë një ndryshim thelbësor në Westminister: që vetëm deputetët anglezë të mund të votojnë për çështjet e Anglisë.

Zoti Hague insistoi se nga njëra anë ka një angazhim shumë të qartë të partive britanike për reformat skoceze, ndërsa argumentoi se çështja angleze duhet zgjidhur me të njëjtin hap.

“Mendoj se do të ishte e gabuar të shkonim përpara me një fazë tjetër të rëndësishme dhe me ndarjen e kompetencave nga pjesët e tjera të Mbretërisë së Bashkuar pa zgjidhur më parë problemin”, tha ai për BBC.

Top Channel