Terrorizmi, Australia rrit masat e sigurisë

19/09/2014 00:00

Në Australi po rriten masat e sigurisë përreth selisë së Parlamentit,
pas informacioneve që tregonin se godina mund të bëhet shënjestër e
ekstremistëve.

Kryeministri i vendit, Tony Abbott deklaroi se Policia Federale e Australisë do të marrë përsipër përgjegjësinë për kompleksin parlamentar në Kanberra.

Kjo lëvizje vjen një ditë pasi forcat policore kryen një operacion të gjerë kundër terrorizmit në qytetin e Sidnejit. Operacioni shmangu një plan të mbështetësve të Shtetit Islamik për të kryer vrasje në territorin australian, përfshirë një me prerje koke të xhiruar me kamera.

Në javët e fundit ISIS ka publikuar pamje filmike që tregojnë prerjen e kokës të dy gazetarëve amerikanë dhe një punonjësi britanik të shërbimeve të bamirësisë.

Duke folur për Australian Broadcasting Corporation, zoti Abbott tha se Parlamenti është identifikuar si një objektiv potencial. “Është e sigurt që në rrjetet e mbështetësve të terrorizmit flitet për një sulm ndaj qeverisë dhe njerëzve të qeverisë dhe Parlamenti është përmendur qartazi”, tha ai.

Si pasojë, një plan urgjent sigurie është hartuar. “Prandaj ne po vendosim Policinë Federale si përgjegjëse të sigurisë, jo vetëm jashtë ndërtesës por edhe brenda saj”, vijoi Abbott.

Deri tani, siguria në Parlamentin australian është drejtuar një nga ekip i brendshëm sigurie. Ndërkohë, i pyetur për operacionin e së enjtes, zoti Abbott tha se autoritetet e sigurisë kishin vepruar me shpejtësi për të asgjesuar rrjetin terrorist pasi gjasat për një ekzekutim me prerje koke ishin të mëdha.

Mbi 800 oficerë policie morën pjesë në këtë operacion, që çoi në 15 arrestime. Mediat australiane raportojnë se operacioni u nxit nga një bisedë e përgjuar telefonike mes një anëtari australian të ISIS-it dhe mbështetësve brenda vendit, në të cilën ai udhëzonte këta të fundit të kryenin një seri prerje kokash.

Për këtë, dy persona janë akuzuar. Njëri prej tyre, 22-vjeçari Omarjan Azari është akuzuar për komplot me qëllim kryerjen e akteve terroriste dhe financimin e terrorizmit.

Prokurori i rastit, Michael Allnutt deklaroi se 22-vjeçari kishte planifikuar të kryente krime “tejet të rënda” që përfshinin “një nivel të paparë fanatizmi” dhe që synonin të trondisnin dhe tmerronin opinionin publik.

Top Channel