Pas Skocisë, radha e Katalunjës

19/09/2014 00:00

Presidenti i Rajonit të Katalunjës në Spanjë, Artur Mas ka deklaruar se referendumi për pavarësinë e Skocisë është një udhërrëfyes për rajonin e tij për të vendosur nëse do të qendrojë me Spanjën apo do të shpallë mëvetësinë.

Mas është duke përgatitur zhvillimin e një referendumi në muajin nëntor me sondazhe që flasin për një mbështetje të gjërë të pavarësisë.

Qeveria spanjolle kundërshton atë që e quan “votë konsultuese” dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar mbajtjen e referendumit.

Presidenti Mas thotë se rezultati i referendumit skocez nuk është një mesazh për t’u tërhequr nga vendimi. Ai tha se kryesorja është që t’u jepet banorëve katalanas mundësia për të zgjedhur dhe jo rezultati që do të dalë nga kjo zgjedhje.

“Ky ishte një mesazh i fuqishëm që Britania e Madhe përçoi në mbarë botën. Një mesazh që tregon rrugën e duhur të zgjidhjes së konflikteve. Është një mesazh i fortë për ne dhe duhet të jetë edhe për qeverinë qendrore në Madrid”, tha Mas.

Parlamenti katalanes pritet të mblidhet së shpejti për të miratuar ligjin që i hap rrugën referendumit të 9 nëntorit. Të martën e ardhshme pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Madrid, që sipas agjencive spanjolle të lajmeve mund të pezullojë votimin deri në daljen me vendimin përfundimtar.

Nga ana e tij, Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy mirëpriti rezultatin e referendumit skocez.

“Skocezët zgjodhën integrimin në vend të ndarjes, hapjen në vend të izolimit, stabilitetin në vend të sigurisë. Zgjodhën rrugën më të mirë për veten e tyre, për Britaninë dhe për gjithë Europën”, tha Rajoy.

Por frika se në Katalonjë rezultati mund të jetë ndryshe është e madhe. Rajoni është më i pasuri i Spanjës dhe më i industrializuari. Deri para krizës financiare zërat për t’u shkëputur nga Madridi ishin pakicë, por me rritjen e taksave shumë katalanas mendojnë se paratë që ata i paguajnë qeverisë qendrore po shfrytëzohen për të investuar në rajonet e tjera më të varfëra të vendit.

Top Channel