Kostoja ndërkombëtare e referendumit skocez

19/09/2014 00:00

Rezultati i referendumit skocez ka çliruar mjaft qeveri në mbarë botën, të shqetësuara se një vendim i skocezëve për t’u shkëputur nga Britania e Madhe do të ngjallte lëvizje separatiste në vendet e tyre.

Njëra prej tyre është Spanja. Qeveria në Madrid prej kohësh përballet me kërkesën për shkëputje të Katalonjës. Mbështetësit e mëvetësisë në këtë rajon të vendit iberik kanë ngritur zërin së fundmi, megjithëse Madridi ka refuzuar deri më tani zhvillimin e një referendumi.

Korrespondentja për çështjet diplomatike e BBC, Bridget Kendall shkruan se mes të shqetësuarve për rezultatin e referendumit nuk ishin vetëm vendet që rrezikoheshin nga lëvizje të ngjashme, por edhe aleatët e Britanisë pa probleme të tilla. Disa druheshin se shkëputja e Skocizë do të shpërqendronte dhe dobësonte Britaninë e Madhe që do të humbte peshën që ka në politikën globale.

Edhe pa shkëputjen e Skocizë ekziston një përshtypje e gjërë se si Britania ashtu edhe pjesa tjetër e Perëndimit është duke humbur peshën përballë gjigantëve në rritje si Kina, India, Rusia dhe Brazili.

Por as vota “Jo” e Skocisë nuk është pa pasoja për Britaninë. Kryeministri Cameron në përpjekje për të bindur skocezët që të vazhdojnë të qendrojnë në union, premtoi më shumë pushtet për qeveritë dhe parlamentet lokale. Shpërndarja e këtij pushteti do të shpërqendronte qeverinë në Londër dhe rrjedhimisht edhe përfaqësimin e saj në rang ndërkombëtar.

“Mendoj se sërish do të ketë një ndikim negativ edhe nga vota ‘Jo’. Përpara janë premtimet për të shpërndarë pushtet më të gjerë në qeveritë dhe parlamentet lokale dhe kjo kërkon ndryshime ligjesh e të Kushtetutës që kërkojnë një punë të stërmadhe që do të shpërqendrojë qeverinë qendrore nga politika dhe mbrojtja e interesave në arenën ndërkombëtare”, thotë për BBC ish-ambasadori britanik, Lord Hannay.

Por nëse britanikët mbështetës të unionit janë të çliruar pas këtij referendumi, për Bashkimin Europian ka një tjetër shqetësim. Po sikur konservatorët të fitojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe në 2017 të organizojnë një tjetër referendum, atë për qendrimin ose jo në Bashkimin Europian, ashtu sic edhe kanë premtuar deri më tani?

Top Channel