Gara për guvernatorin e bankës

19/09/2014 00:00

Një nga bankierët më të suksesshëm shqiptarë në bote, thotë për Top
Channel se reputacioni i bankës është efekti anësor më i dëmshëm, pas
skandalit financiar në Bankën e Shqipërisë.

Erdit Hoxha eshte Drejtori i Departamentit te Investimeve Financiare per Evropen ne banken e madhe amerikane ‘Goldman Sachs’, me seli ne Londer. Me Hoxhën, i përfolur si një nga kandidaturat për Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë, bisedoi korrespondenti i Top Channel në Londër, Arben Manaj.

Arben Manaj: Zoti Hoxha, ju me siguri e keni ndjekur zhvillimet për krizën financiare në Shqipëri, me skandalin e Bankës së Shqipërisë. Cilat mendoni ju se janë disa nga efektet anësore të kësaj krize?

Erdit Hoxha: Banka e Shqipërisë ka tre asete që mbron për shqiptarët: eshtë kapitali ekonomik, kapitali njerëzor dhe kapitali reputacional. Nga informacioni që kemi, kapitali ekonomik është dëmtuar, por jo në atë mënyrë që të krijojë një krizë për sistemin financiar shqiptar. Eshtë një shumë, që nuk duhet të jetë problematike për sistemin financiar.
Kapitali njerëzor duhet mbrojtur. Njerëzit e ndershëm që punojnë në Bankën e Shqipërisë duhen mbrojtur edhe nga media edhe institucioni duhet të mbrohet, nuk duhet të humbasin ata që janë profesionistë të kualifikuar dhe janë viktima të këtij krimi. Kapitali reputacional është dëmtimi më i madh që i është bërë Bankës së Shqipërisë edhe do punuar për një periudhë shumë të gjatë dhe institucionet shqiptare duhet të mendojnë afatgjatë për të rikrijuar reputacionin e Shqipërisë dhe besimin e qytetarëve shqiptarë edhe të institucioneve internacionale drejt bankës.

Arben Manaj: Po më kujtoni thënien interesante të bankës së Anglisë, i cili thotë që besimi financiar vjen në këmbë po ikën me Ferrari.

Erdit Hoxha: Keni absolutisht të drejtë! Eshtë reputacioni, ndershmëria e bankierëve është gjëja më e rëndësishme.

Arben Manaj: Banka ku ju punoni ka nxjerrë shumë guvernatorë të huaj dhe ka një debat në Shqipëri për guvernatorin e ardhshëm, do të jetë i huaj, apo duhet të jetë shqiptar. Cili është opinioni juaj?

Erdit Hoxha
: Pasaporta nuk ka shumë rëndësi, por do mendoja se do të ishte një sinjal shumë pozitiv nëqoftëse guvernatori i ri Bankës së Shqipërisë do të ishte një shqiptar.Ka ekspertë të kualifikuar në Shqipëri, që mund ta mbajnë atë pozicion.

Arben Manaj:
Si e shikoni të ardhmen e Bankës së Shqipërisë?

Erdit Hoxha: Kam besim total në institucionet shqiptare dhe në të ardhmen e Shqipërisë

Top Channel