Apple dhe Google kodojnë të dhënat personale

19/09/2014 00:00

Google njoftoi se sistemi i ri Android, që pritet të hidhet në treg së shpejti, do të kodojë automatikisht të dhënat personale të përdoruesit.

Kjo masë sigurie për të mbrojtur privatësinë e klientëve u njoftua pak ditë më parë nga Apple gjatë prezantimit të sistemit të operimit iOS8. Kreu i “Mollës” Tim Cook tha se kjo e bën akoma më të vështirë sigurimin e të dhënave të përdoruesve nga kriminelët kibernetikë.

Kodimi i informacionit apo të dhënave të përdoruesve do të aplikohet automatikisht në të gjitha pajisjet Apple që kanë iOS8 dhe në të gjitha pajisjet që do të pranojnë Android L, sistemi më i ri i Google që pritet të dalë së shpejti.

Si Google ashtu edhe Apple pretendojnë se me këtë risi kanë zgjidhur sigurinë e të dhënave personale të klientëve të tyre, të dhëna që nuk mund të merren as nga policia, madje as nga vetë kompania pa konfirmimin e klientit.

Rritja e sigurisë u bë e domosdoshme pas publikimit të fotove intime të më shumë se 100 personaliteteve VIP nga hakerat që kishin mundur të çanin sistemet e sigurisë dhe të siguronin të dhënat e tyre personale.

Top Channel