PD: Rama, avokat me prokurë i Kokëdhimës

19/09/2014 00:00

Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Edi Rama për ndjekje të standardeve të dyfishta lidhur me ndërtimet pa leje.

Sipas deputetit Arben Ristani, ndërsa prishen shtëpitë e banorëve, Rama mbron sarajet e deputetit Koço Kokëdhima, që kanë shkelur Ligjin e Urbanistikës dhe kanë dëmtuar mjedisin në Qeparo.  

“Duhet një ditë e tërë për të treguar sasinë e madhe të ligjeve që ka shkelur Koço Kokëdhima me ndërtimin e sarajeve të tij. Eshtë shkelur ligji i Urbanistikës i vitit 1998, ku thuhet se ndërtimet në zonat turistike përcaktohen në planet rajonale dhe masterplanet e zhvillimit. Plani rajonal është miratuar në vitin 2008, kështu që pretendimi i Koços për leje të vitit 2002, është tërësisht qesharak. Ndërtimi i Koços bie ndesh me 5 ligje dhe dy plane urbanistike. Por ai është ndërtimi i Koços, dhe Edi Rama është avokati i tij me prokurë. Shemben çdo ditë banesat e të pamundurve, dhe cdo ditë lëshon shtat kundër ligjit pashallëku i Koços. Ky është një krim dhe ky është standardi i Edi Ramës.Kafshatë që s’kapërdihet është mjerimi, por tallja dhe arroganca e pashallareve me popullin është kulmi”, tha Ristani.

Top Channel