Afrikë e Jugut, hapet xhamia e parë për homoseksualë

19/09/2014 00:00

Një akademik musliman në Afrikën e Jugut ka hapur të parën xhami “miqësore ndaj homoseksualëve”, pavarësisht se ka marrë kërcënime me vdekje dhe kritika të ashpra nga pjesë të ndryshme të komunitetit musliman lokal.

Gratë do të lejohen të kryesojnë predikimet dhe lutjet në “xhaminë e hapur” Taj Hargey në Cape Town. “E kemi hapur këtë xhami për njerëzit me mendje të hapur, jo ata me paragjykime”, tha zoti Hargey për BBC.

Ai shtoi se xhamia do të japë ndihmesë kundër rritjes së radikalizimit islamik.

Hargey, një profesor në Qendrën Muslimane të Edukimit, në Oksford të Britanisë së Madhe, tha për BBC se ka ardhur koha për një “revolucion të besimit”.

“Në Afrikën e Jugut, 20 vjet më parë, ka pasur një revolucion paqësor me ndryshimin nga aparteidi në demokraci, ndaj dhe ne duhet të kemi një zhvillim të ngjashëm edhe në aspektin fetar”, tha ai.

Hargey, i cili është lindur në Cape Town, tha se xhamia do të presë njerëz nga të gjitha gjinitë, fetë dhe orientimet seksuale. Ashtu sikurse liderët e predikimeve dhe lutjeve, gratë do të lejohen gjithashtu të luten në të njëjtën dhomë me burrat, tha ai.

Me këtë të fundit, ai del edhe kundër praktikave aktuale islamike, që detyrojnë “gratë të jenë në fund të rrugës, prapa sallës, larg syrit dhe mendjes së burrave”.

Gjithsesi, anëtarë të komunitetit musliman të Cape Townit kanë kritikuar përmes rrjeteve sociale xhaminë e re, teksa disa prej tyre e quajnë kreun e saj “heretik dhe jobesimtar”.

FOTO GALERI
1/1
Taj Hargey, akademiku musliman i xhamise ne Cape Town

Top Channel