Cani: Lufta e pamjaftueshme ndaj evazionit

19/09/2014 00:00

Ministri i Financave Shkëlqim Cani pranoi se mosrealizimi i të ardhurave nga akciza dhe tatim-fitimi është pasojë edhe e perpjekjeve të pamjaftueshme të administratës fiskale.

“Zyrtarët përpiqen t’i shpëtojnë asaj që është thelbësore dhe ndoshta, që është kritikë për zyrtarët, është edhe jo lufta e mjaftueshme, përpjekjet e mjaftueshme të të gjithë administrave për të realizuar të gjitha objektivat që kishin për treguesin e akcizës. Por,  ka edhe faktorë të tjerë, për arsye që duke qenë se për mallrat e akcizës, kur vendoset që do të rritet akciza, përgjithësisht të ardhurat i kalojnë vitit kur shpallet”, u shpreh Cani.

Në buxhetin e rishikuar, Ministria e Financave e uli planin e akcizës me mbi 3.8 miliardë lekë, krahasuar me fillimin e vitit, ndërsa atë të Tatimit mbi Fitimin, me 1.1 miliard. Por falë ecurisë së fortë pozitive nga TVSH-ja dhe tejkalimit tek të ardhurat jotatimore, buxheti total u rrit me 3.2 miliardë lekë ose 0.9 për qind.

Kjo është hera e parë në 5 vjet, që buxheti rishikohet në rritje dhe për ministrin e Financave ky argument është përgjigja më e mirë ndaj akuzave të opozitës.

“Treguesit besoj flasin vetë. Eshtë hera e parë pas 5 vitesh, kur zoti Bode personalisht drejtonte Ministrinë e Financave dhe rishikonte buxhetin në mes të vitit, se nuk duronte dot as pjesën e dytë të vitit, që ta rishikonte në ulje. Eshtë e para herë, që buxheti shihet në rritje. Nëse rritja është demagogji dhe ulja e treguesve të buxhetit është e vërtetë, unë, si Ministër i Financave, por edhe qytetarët gëzojnë që Shqipëria nga viti në vit të rishikojë buxhetin gjithnjë në rritje”, tha Cani.

Për herë të parë, kreu i Financave ka sqaruar edhe arsyet, se pse misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, u largua pa daljen e përbashkët në media me autoritetet shqiptare, duke mohuar që mes palëve ka mosmarrëveshje.

“Marrëveshja arrihet para mbledhjes së bordit, kështu që, nuk është fare problem ky. Ishte një mision hulumtues. Për të qenë akoma edhe më i sinqertë, ishte një mision që duhet të na jepte ‘ok’, për rishikimin e vitit 2014, ne nuk mund ta bënim më vonë”, tha ministri.

Zoti Cani i bëri këto deklarata gjatë një aktiviteti në Drejtorinë e Doganave, ku u shpërndanë diplomat për studentët që kanë përfunduar stazhin profesional në administratën doganore.

“Dogana ka shumë prioritete; përmirësimin e vazhdueshëm teknologjik dhe informativ, luftën ndaj korrupsionit, sofistikimin e sistemit të hetimit dhe anti-kontrabandës, rritjen e të ardhurave, lehtësimin e tregtisë. Por mbi të gjitha ka një prioritet pa të cilin nuk do të ishin të mundur prioritetet e mësipërme; transformimi e administratës në një administratë mirëfilli europiane në shërbim të qytetarëve dhe biznesit”, tha Drejtorja e Përgjithshme e Doganeve, Elisa Spiropali.

Top Channel