Francë, Sarkozy shpall rikthimin në politikë

19/09/2014 00:00

Ish-Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, ka njoftuar rikthimin e tij në politikën franceze, përmes një deklarate në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Në të, ai thotë se do të mund të jetë një kandidat për të udhëhequr partinë opozitare UMP, gjë që shihet gjerësisht si hapi i parë i tij për të garuar më pas për Presidencën në vitin 2017.

“Unë jam një kandidat për t’u bërë president i familjes sime politike”, shkroi Sarkozy në rrjetin social, shënim ky me të cilin i jepet fund spekulimeve prej disa muajsh, nëse konservatori 59-vjeçar do të rikthehej apo jo në arenën politike.

Nicolas Sarkozy duket se synon sërish Presidencën, pavarësisht hetimeve për korrupsion të nisura ndaj tij dhe pavarësisht rivalëve të tjerë, që shpresojnë të udhëheqin partinë konservatore opozitare, UMP.

Sarkozy u bë Presidenti i parë i Francës, i cili nuk rizgjidhej për një mandat të dytë, që prej vitit të largët 1981, me Presidentin e atëhershëm Valery Giscard d’Estaing.

Por, në ditët e sotme, personi që e mposhti atë, lideri socialist Francois Hollande, është Presidenti më pak popullor i epokës moderne të shtetit, siç sugjerojnë sondazhet e bëra duke pyetur opinionin publik.

Duke e përshkruar Francën si një shtet “buzë greminës”, Sarkozy ka thënë se nuk mund t’ia lejojë vetes ta shohë vendin e tij “mes dramës së Frontit Kombëtar (ekstremi i djathtë) dhe fundit të Socializmit”.

Nëse siguron kreun e partisë UMP, atëherë ai do të kishte gjithçka të nevojshme për të sfiduar këdo në Presidencialet e vitit 2017. Por, një tjetër pengesë janë edhe hetimet, që kanë si bazë të tyren financimin e fushatës së suksesshme të tij, në zgjedhjet e vitit 2007.

Top Channel