Skocezët i thanë ‘Jo’ ndarjes, dorëhiqet Salmond

19/09/2014 00:00

Ministri i Parë i Skocisë, Alex Salmond njoftoi se do të tërhiqet nga posti zyrtar që mban si dhe nga drejtimi i Partisë Kombëtare Skoceze, të cilën e drejton prej 10 vitesh.

“Për mua si udhëheqës politik koha përfundoi, por për Skocinë fushata vazhdon dhe ëndrra nuk duhet të vdesë kurrë”, tha ai.

Vendimi i Salmond mbërrin pas rezultatit të referendumit të zhvilluar ditën e enjte, ku skocezët i thanë jo pavarësisë. Ai ishte nismëtari i referendumit dhe ndër mbështetësit më të zjarrtë të pavarësisë.

Me të 32 zonat bashkiake që kanë numëruar fletët e votimit pas procesit të së enjtes, votuesit “jo” kryesuan me 2.001.926 vota, kundër 1.617.989 të atyre që votuan pro pavarësisë.

Rezultati u konsiderua i sigurtë matematikisht fillimisht në orën 06:08 të së premtes, pasi një zyrtar përgjegjës njoftoi dominimin e votave “jo”.

Vetëm pak momente më pas, Ministri i Parë, Salmond deklaroi se pranon rezultatin dhe bëri thirrje për unitet.  Ai tha se referendumi dhe pjesëmarrja e lartë në të ka qenë një triumf për procesin demokratik dhe premtoi se do të mbajë zotimin e tij në Marrëveshjen e Edinburgut, që i hapi rrugën referendumit.

“Partitë pro unionit u angazhuan në fund të fushatës për t’i siguruar më shumë pushtet Skocisë dhe Skocia pret që këto zotime të përmbushen me shpejtësi. Ndërkohë, na është premtuar një rishikim i ligjeve të Skocisë brenda 27 marsit të vitit të ardhshëm”, tha Salmond.

“Jo vetëm 1.6 milion skocezët që votuan pro pavarësisë do të kërkojnë përmbushjen e këtij zotimi, por të gjithë skocezët që morën pjesë në këtë referendum do ta kërkojnë atë”, shtoi ai.

Top Channel