Kleriku irakian: Vigjilentë kundër ndërhyrjes së Perëndimit

19/09/2014 00:00

Kleriku shiit tepër influencues, “Grand Ajatollah” Ali al-Sistani, kërkoi gjatë së premtes më shumë vigjilencë kundër ndërhyrjes politike të Perëndimit në çështjet e Irakut, por nuk u zgjat shumë në kundërshtimin e fushatës ushtarake të udhëhequr nga Amerika kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik.

“Të gjithë liderët politik të vendit duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të zgjuar për të parandaluar ndihmën e jashtme kundër Shtetit Islamik të shndërrohet në një pikënisje për shkeljen e pavarësisë së Irakut”, tha Ajatollah Sistani. “Bashkëpunimi me përpjekjet ndërkombëtare nuk duhet marrë si pretekst për të imponuar vendimet e të huajve në ngjarjet e Irakut, veçanërisht ngjarjeve ushtarake”.

Komentet e tij të balancuara dhe të kujdesshme, në një deklaratë të lexuar nga zëdhënësi i tij gjatë lutjeve të së premtes në qytetin iraken të Karbalas, theksojnë sfidën delikate me të cilën përballen Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, në përpjekjet për të zmbrapsur ekstremistët sunitë të Shtetit Islamik, duke mos fuqizuar apo armiqësuar fraksionet rivale shiite.

Komentet e Ajatollahut erdhën vetëm pak kohë pasi zyra e Presidentit të Francës, Francois Hollande, njoftoi se avionët luftarakë francezë zhvilluan sulmet e para të tyre ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Irak, duke përmbushur kështu angazhimin e tij të një dite më parë, për t’iu bashkuar fushatës ushtarake ndërkombëtare kundër grupit ekstremist.

Gjatë ditëve të fundit, një sërë liderësh të tjerë të shiitëve irakianë, apo milicive me lidhje të ngushta me Iranin, kanë bërë deklarata duke shprehur përmes tyre më shumë maturi dhe kundërshtim ndaj përpjekjeve të udhëhequra prej amerikanëve, ndërsa zyrtarët amerikanë e konsiderojnë këtë si një kujtesë se vendet e Perëndimit duhet të marrin në konsideratë edhe Teheranin.

Të premten, kleriku Moktada al-Sadr, një tjetër zë influencues me lidhje me Iranin, bëri thirrje për një demonstratë në Bagdad gjatë së shtunës, për të protestuar kundër një inkursioni potencial nga forcat tokësore amerikane.

Por, Ajatollah Sistani, i konsideruar i pavarur dhe unik nga populli iraken, ishte më i balancuar. Teksa paralajmëronte irakianët të ruhen ndaj ndërhyrjeve të huaja, ai u duk se miratonte idenë se ndihma e huaj ishte e nevojshme për të zmbrapsur ekstremistët sunitë, të njohur gjithashtu me akronimet ISIS apo ISIL, të cilët kanë shpallur krijimin e kalifatit të Shtetit Islamik (IS).

Top Channel