Ecclestone këmbëngul për “tripletën”

19/09/2014 00:00

Bernie Ecclestone i rikthehet sërish idesë së tij të vjetër, teksa i gjendur në Singapor, ku do të zhvillohet edhe gara për Çmimin e Madh të “Marina Bay”-t, është shprehur se nga viti i ardhshëm, skuderitë që do të marrin pjesë në Botërorin e Formula 1 mund të kenë mundësinë të zbresin në pistë 3 makina për çdo garë.

“Problemi është se thuajse të gjitha skuderitë arsyetojnë me dritëshkurtësi, mendojnë vetëm për garën e radhës dhe jo për atë që duhet të ndodhë vitin e ardhshëm. Megjithatë, do t’i çojmë përpara idetë tona”, ka thënë bosi i Formula 1.

“Ky është një argument që ka qenë gjithnjë në krye të diskutimeve të ditës, – ka shpjeguar Ecclestone. – Nëse do të tërhiqet ndonjë ekip, atëherë të tjerët do të garojnë secili me nga 3 vetura. Gjithsesi besoj se ne duhet ta lançojmë këtë hap në çdo rast. Do të doja të shihja Ferrarin me 3 makina në çdo garë, ashtu sikurse edhe ndonjërën prej skuderive të tjera të mëdha. Kështu do të fitonte spektakli, por do të ishte edhe një mënyrë për të shmangur krizën e ndonjë skuderie”.

Top Channel