Festivali i Filmit për të Drejtat e Njeriut

19/09/2014 00:00

Nën slloganin “Mos hesht” do të zhvillohet edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut nga data 22-28 shtator në Tiranë.

Sipas organizatorëve, nga 450 filmat e ardhur, janë përzgjedhur 48 prej tyre, filma të cilët janë censuruar në vendin e tyre të origjinës, me tematika të cilat janë në funksion të problemeve të shoqërisë vendase, mes të tjerash si krimi i organizuar, korrupsioni, krimi në familje, abuzimi i fëmijëve, shteti ligjor dhe i së drejtës.

“Revolucioni dixhital” është tema kryesore e këtij edicioni.

Kujtim Cashku, drejtor i Festivalit, thekson: “Këtë vit ndërtuam një identifikim tjetër që na dukej mjaft novator në kuptimin e problematikave që shtrohen, sikurse është revolucioni dixhital. Në këtë tematikë bëjnë pjesë filma që trajtojnë mundësitë e reja të informimit, formimit dhe komunikimit që lëvizin me një shpejtësi marramendëse dhe që në një farë mënyre kanë shtruar para shoqërisë moderne probleme të ndryshme lidhur me asimilimin dhe perceptimin e kësaj shpejtësie që ka revolucioni dixhital në vetvete.”

Përpos shfaqjes së filmave, do të organizohen edhe bashkëbisedime me autorë filmash mbi tematikat e tyre, forume me studentë për çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe koncerte muzikore.

Në mbrëmjen e hapjes së Festivalit, të hënën e 22 shtatorit, do të shfaqet filmi dokumentar çek “Nata e madhe”, një hulumtim i jetës së natës dhe pagjumësisë.

Top Channel