Rice: Asnjë njoftim se kur do të nisin sulmet në Siri

19/09/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara janë gati të nisin sulmet ajrore ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Siri, por nuk do të dërgojnë asnjë mesazh telegrafik se kur do të ndodhin ato. Kështu është shprehur gjatë së premtes këshilltarja e Presidentit Barack Obama për Sigurinë Kombëtare, Susan Rice.

Komentet e saj nënvizojnë edhe njëherë faktin se shumë pyetje po bëhen mbi kohën se kur Shtetet e Bashkuara do të nisin zgjerimin e fushatës së tyre të sulmeve ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri, duke ditur se sulmet aktuale janë përqendruar vetëm në Irak, pasi Obama parashtroi udhëzimet për sulmet, të cilat synojnë t’i mohojnë militantëve të Shtetit Islamik një strehë të sigurt në secilin prej këtyre vendeve.

“Nuk mendoj se do të ishte e përshtatshme apo e mençur për mua, të dërgoja mesazhe telegrafike nga podiumi, se kur do të ndodhin ekzaktësisht ato dhe se çfarë hapash mund të duhen të ndërmerren përpara se ato të ndodhin”, tha Rice për reporterët në Shtëpinë e Bardhë. “Nuk do t’iu jap asnjë gjë me saktësi, as parashikime se kur mund të nisin ato”, shtoi ajo.

Ndërkohë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se sulmet ajrore nuk kanë nevojë për miratimin e Presidentit Obama. “Ndryshe nga disa raportime të publikuara, Presidenti nuk do të gjendet ndonjëherë në pozicionin për të menduar nëse do t’i miratojë apo jo sulmet ajrore individuale në Siri”, tha ai.

Por, Earnest refuzoi të thoshte nëse Obama do ta ketë të nevojshme miratimin e sulmit të parë në Siri, duke thënë vetëm se Obama dhe ekipi i tij po shqyrtojnë planet e prezantuara nga Pentagoni. Earnest tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë marrë masa për të kufizuar dëmtimet apo plagosjen e civilëve në Irak dhe Siri.

Top Channel