Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli priti në një takim homologen e saj italiane, Roberta Pinotti.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, dy ministret vlerësuan bashkëpunnimin mes dy shteteve në fushën ushtarake, ndërsa ministrja e Mbrojtjes së Italisë falënderoi Shqipërinë për kontributin e dhënë në luftën kundër ISIS në Irak e Siri, si dhe theksoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë për stabilitetin në rajon.

“Takimi me ministren Pinotti vjen menjëherë pas vendimeve të rëndësishme të marra në Samitin e Uellsit, vendime që kanë një rëndësi të veçantë për situatën, në të cilën ndodhet i gjithë globi, lidhur me sigurinë jo vetëm të Shqipërisë, të rajonit, por me sigurinë e Europës dhe, padyshim, me të gjtha ato rajone që sot përballen me kriza nga më të ndryshmet, duke filluar që nga kriza në Ukrainë, te problemet e pazgjidhura në Afganistan, sigurisht te situata tejet e nderë si ajo në Lindjen e Mesme, apo edhe në disa vende të tjera në Jug të Europës apo Juglindje të saj. Diskutuam për misionin tonë të përbashkët në Afganistan “NATO, post-ISAF ose Misioni Resolute Support”, siç jemi mësuar ta dëgjojmë; diskutuam për planin e veprimit për gatishmërinë e NATO-s, gjithashtu diskutuam edhe për një stërvitje të përbashkët të disa aleatëve, brenda Aleancës së NATO-s, “Trident Jucture 2015””, u shpreh ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

“Ne trajtuam edhe çështje të ndryshme, që lidhen me rreziqet që përballet sot bota. Italia ka vlerësuar te Shqipëria pozitën e saj mjaft mbështetëse në kuadër të NATO-s. Dhe ne duhet të trajtojmë me vëmendje ato probleme që po ndodhin, për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, por nuk duhet të mos trajtojmë me vëmendje edhe problemet që po ndodhin në Afrikën e Jugut dhe në Lindjen e Mesme. Pata rastin të falënderoj përzemërsisht Shqipërinë, për faktin që ka vënë në dispozicion municione në luftën kundër ISIS dhe ky është një rrugëtim tejet i rëndësishëm për Shqipërinë, të cilin po bën në planin ndërkombëtar. Shqipëria luan një rol të rëndësishëm sa i përket qëndrueshmërisë, stabilitetit dhe paqes në rajon dhe, sigurisht, kjo duke u bazuar edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera fqinje, në rajon dhe jo vetëm kaq”, theksoi ministrja italiane e Mbrojtjes, Roberta Pinotti.

Top Channel