Raporti vjetor i OSBE-së vlerëson zgjedhjet

19/09/2014 00:00

Në analizë të raportit të përvitshëm të OSBE-së për zhvillimet në Shqipëri, Ambasadori Amerikan në këtë organizëm Daniel Baer ka vlerësuar zhvillimin e zgjedhjeve në qershor të 2013-ës në Shqipëri.

Por në njoftimin që Partia Demokratike ka shpërndarë thuhet se Ambasadori Amerikan në OSBE ka thënë më pas se ajo që ka ndodhur pas zgjedhjeve në Shqiperi është më pak se e pëlqyeshme për shumëkend.

Në këtë të fundit ai ka renditur luftën  politike, mungesën e besimit mes palëve. Ai ka vlerësuar mbështetjen e fortë për sundimin e Ligjit në Shqipëri dhe sipas njoftimit të Selisë Blu ai citohet të ketë thënë se pranimi dhe zbatimi pa kushte i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është element kyç në këtë drejtim.  

Sipas njoftimit të shpërndarë nga PD-ja, Ambasadori Amerikan në OSBE citohet të ketë dënuar dhunën fizike në parlament dhe fton drejtuesit e partive politike të mos tolerojnë këtë sjellje.

Kryedemokrati Lulzim Basha përshëndeti deklaratën e Ambasadorit Amerikan në OSBE.

“Uroj që këto qëndrime të drejta të mos bien në veshë të shurdhër, por të dëgjohen dhe të kuptohen qartë nga ata që kanë prishur konsensusin dhe kanë instaluar konfliktin politik, që nëpërkëmbin dhe nuk zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që frymëzojnë dhunën fizike në parlament në vend të dialogut dhe debatit demokratik”, shprehet Basha në njoftimin e publikuar në faqen e tij në Facebook.

Top Channel