Ukraina, marrëveshje me pro-rusët

20/09/2014 00:00

Qeveria e Ukrainës dhe rebelët pro-rusë ranë dakord për memorandumin mbi një plan paqeje për konfliktin në lindje të vendit.

Marrëveshja e arritur përfshin ngritjen e një zone mbrojtjeje rreth 30 kilometra, ndalimin e fluturimeve të avionëve luftarak në lindje dhe tërheqjen e të gjithë mercenarëve të huaj nga të dyja palët. Po ashtu si armëpushimit dy javë më parë edhe për këtë marrëveshje u ra dakord në Minsk të Bjellorusisë.

Më shumë se 3 mijë persona janë vrarë në luftimet e nisura që prej muajit prill në dy rajonet lindore të Ukrainës.

Megjithëse armëpushimi i arritur më 5 shtator mes palëve është shkelur disa herë , ai vazhdon të mbahet ende. Ukraina akuzon Rusinë për mbështetjen e separatistëve në lindje të vendit me armë dhe trupa ushtarake, por pala ruse e ka mohuar gjithmonë këtë akuzë. Në bisedimet e zhvilluara gjatë së premtes nuk është diskutuar në lidhje me statusin e zonave të kontrolluara nga rebelët, Luhansk dhe Donetsk.

Ndërkohë gjatë ditës së enjte Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko zhvilloi një vizitë në Shtetet e Bashkuara, ku u takua edhe me Barack Obama-n, i cili i ka dhënë mbështetjen e tij liderit ukrainas, duke e cilësuar atë si një “mik të fortë”.

Top Channel