Mbretëresha Elizabeth II kërkon unitet në Britani

20/09/2014 00:00

Pas vendimit të ministrit të Parë të Skocisë për t’u tërhequr nga posti zyrtar që mbante si dhe nga drejtimi i Partisë Kombëtare Skoceze, ka reaguar edhe Mbretëresha Elizabeta II, e cila tha se pritej të kishte ndjenja të forta emocionale, pas rezultatit të referendumit, por ajo u shpreh se nuk kishte asnjë dyshim se kjo do të balancohet me “kuptimin e ndjenjave të të tjerëve”.

Skocezët votuan të enjten në referendumin për pavarësi nga Britania e Madhe, por votuesit “jo” kryesuan me 2.001.926 vota, kundër 1.617.989 të atyre që votuan pro pavarësisë.

“Pas shumë muajsh diskutimesh, debati dhe mendimesh të kujdesshme, ne tani e dimë rezultatin e referendumit, i cili tashmë duhet të respektohet nga të gjithë ne në Mbretërinë e Bashkuar. Por shumë njerëz në Skoci dhe në vende të tjera sot do të kenë ndjenja të forta emocionale kundër. Kjo, natyrisht është natyra e traditës së fuqishme demokratike që ne gëzojmë në këtë vend. Por unë nuk kam asnjë dyshim se këto emocione do të zbuten pas kuptimit të ndjenjave të të tjerëve”, u shpreh Mbretëresha Elizabeta II.

Gjithashtu, Mbretëresha shprehu mbështetjen e saj dhe të familjes së saj për popullin skocez, duke thënë se do të bëjë gjithçka që mundet për t’i ndihmuar ata në këtë ‘detyrë të rëndësishme’.  

“Tani, ne duhet të shkojmë përpara, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që janë shprehur, ne kemi të përbashkët dashurinë për qëndrueshmërinë e Skocisë”, shtoi Elizabeta II.

Top Channel