Topi: Para ligjit përgjuesit e politikanëve

20/09/2014 00:00

Drejtues të Frymës së Re Demokratike zhvilluan një takim në qytetin e Elbasanit pasditen e së premtes në një takim me qytetarë dhe anëtarë të strukturave të kësaj partie në këtë qark.

Në takim merrte pjesë edhe kreu i kësaj force politike, Bamir Topi. Në fjalën e tij para mbështetësve Topi u ndal tek problematika e gjendjes politike në vendin tonë dhe nevoja që kjo forcë politike ka për të analizuar problematikat e saj.

Ai iu referua asaj që e quajti ‘përfaqësimi më i dobët parlamentar që ka njohur vendi në këto 23 vite ndryshimesh, drejtësisë me probleme, përpjekjeve për uzurpim të institucioneve të pavarura nga ish-kryeministri, nevojën që parlamenti ka të vendosë para ligjit cilindo që ka venë shërbimin sekret të përgjojë politikanët’.

Në fjalën e tij Topi theksoi degjenerimin organizativ që ka njohur partia e madhe e opozitës duke shprehur edhe njëherë vendosmërinë e Frymës së Re Demokratike për të punuar për shtetin dhe qytetarët.

Top Channel