Papa Françesku në katedralen shqiptare

20/09/2014 00:00

NDUE DEDAJ – Vetëm një herë, një ditë, të dielën, më 21 shtator, sheshi
“Nënë Tereza” do të shndërrohet në katedrale, për meshën e Papa
Françeskut, që do të shkelë në tokën shqiptare, me rrënjë në
krishterimin e hershëm.

Shqipëria është një katedrale historike e kontinentit të vjetër, Europës. Historia e kishës ndër ne është e periudhës apostolike dhe krishterimi është feja e parë e shqiptarëve. Toponimia e vjetër katolike romane gjendet dhe në Mat, Dibër, Has etj. Na tingëllojnë prej dy mijë vjetësh profetike fjalët e Shën Palit: “Prej Jerusalemit e përqark deri në Ilirik përhapa Ungjillin e Krishtit…”, i cili gjatë udhëtimit të tretë ungjillëzues, në vitet ‘53-‘58, ka qëndruar edhe në Durrës.” Edhe Shën Françesku i Azisit besohet se ka shkelur në Lezhë në vitin 1221 për të përhapur urdhrin françeskan, ku thuhet se ka pasur dhe një pishë në emrin e tij, që kur u stërplak, druri i saj iu shpërnda besimtarëve për devocion. Në vazhdën e ungjillëzuesve të parë të botës kemi dhe Shën Jeronimin me origjinë shqiptare. Papa të dielën vjen në një popull që dy herë ka lëvizur në përmasa biblike matanë Adriatikut, njëherë në shekullin XV, ku u krijuan ngulimet arbëreshe në jug të Italisë, dhe në vitin 1990, kur po binte diktatura e duhej prekur bota e lirë. Kreu i Selisë së Shenjtë vjen për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Çamërisë, diasporës, emigracionit, që dinë të rrojnë në harmoni në vetvete dhe me popujt e tjerë të rajonit. “Ardhsh i bardhë!” është një urim shqiptar për mikun, ndaj kudo ka atmosferë mirëdashëse. Shqiptarët, mikpritjen, e kanë palcën e virtytit. Çdo institucion bën diçka këto ditë. Biblioteka Kombëtare organizoi ekspozitën “Katolicizëm dhe kulturë”. Posta Shqiptare emetoi pullën “Papa Françesku në Shqipëri” etj.

 

Heroi Kombëtar i Shqiptarëve – “Atlet i Krishtit”

Historia e “Motit të madh të Arbërit” na bën nder sot në ardhjen e Papës e gjithmonë. Kryeprijësi ynë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, prej se ndali hovin e pushtuesve osmanë, u pagëzua nga Papa Kaliksti “Atlet i Krishtit”, një titull më të vërtetë lumnues. Prej shekujsh ka pasur vajtje e ardhje meshtarake mes Shqipërisë dhe Vatikanit. Djem të këtyre vendeve mësonin teologji e filozofi në kolegjet papnore italiane dhe Universitetin e Propagandës Fide në Romë dhe pas shugurimit ktheheshin me mision ungjillizues në tokën e tyre, ashtu siç vinin dhe meshtarë italianë, austriakë e të tjerë për të shërbyer këtu. Por nuk është fjala për të bërë histori në këtë diskurs mirëseardhës kushtuar Papës. Ai është italian dhe vjen në fronin papnor nga Amerika Latine ku ka shërbyer si ipeshkëv. Ky ka qenë shpesh fati i prelatëve, të jenë apostullues e meshues të kontinenteve. Nënë Tereza e bëri epokën e vet në Indi. Po atje kishte shërbyer rreth një shekull e gjysmë më parë imzot Prend Doçi, prelati i parë shqiptar me mision në Amerikë e Azi. Imzot Nikollë Kaçorri shërbeu në katedralen e Durrësit dhe u zgjodh në krye të qeverisë shqiptare të Pavarësisë më 1912-n, një burrë shteti me veladon që e çmonte dhe diplomacia europiane e kohës. Ai kishte një histori familjare unikale për nga bashkëjetesa e besimeve fetare brenda familjes, ishte biri i një nëne myslimane dhe i një babai katolik, në Lurën e dy besimeve. Kurse ipeshkvi i Lezhës, Luigj Bumçi, në Konferencën e Paqes në Paris më 1919-n, do të deklaronte solemnisht: “Unë e mbaj veten për vëlla me çdo mysliman shqiptar”. Fjalë ari që do të ishte me vend të buçitnin dhe sot në Irakun e përgjakur nga ekstremizmi fetar. Hoxhë Kadri Prishtina thoshte: “Kur vinte në Shkodër delegati Apostolik i Papës, myslimanët e Shkodrës, nën gjëmimin e kambanave, vraponin me e pritë e me i bë nderimet e rastit”. Plot vajza myslimane kanë hyrë nuse në shtëpi katolike dhe anasjelltas. Një studiues i vjetër ka shkruar: “Mes fiseve katolike dhe myslimane të Pukës ka ekzistue gjithmonë një harmoni, kanë mes tyne kumari e probatini, si dhe kanë shkue e ardhë vazhdimisht për festa, darsma a morte te njëni-tjetri”. Ndërsa një banor i zonës thotë: “Ne si shtëpi katolike kishim miqësi me shtëpinë e Agës së Kryeziut. I pari ynë ka pirë gjak me gruan e Bajram Agës, kur ky u vra, për ta marrë në mbrojtje, që të rriste jetimat dhe të mos i binte askush në qafë, se e kishim patur mik buke e kumbar të vrarin”. Në qelën e kishës së Kalivares, në vitin 1915, kanë jetuar bashkë për 6 muaj prifti e hoxha, kur ky i fundit kishte ikur nga Shkodra se përndiqej, pra kishte gjetur strehë te vëllai i besimit tjetër. Hoxha e prifti kanë ndarë bashkë dhe qelitë e burgut në diktaturë. Sot, klerikët e besimeve të ndryshme, nëpër studio televizive, i drejtohen njëri-tjetrit me stil dhe etikë, duke e quajtur “vëlla”. Mjafton të dish se ç’ka thënë Fishta në një anë apo Dërvishi i Luzhës në anën tjetër për fenë dhe shqiptarinë. Mund të rreshtojmë dhe të tjera dëshmi të tilla domethënëse, po ku i kemi të fytyrëzuar këta njerëz të mëdhenj të fesë dhe kombit? Nuk dimë të jenë në kryeqytet shtatoret e Imzot Kaçorrit, Atë Gjeçovit, Hasan Tasinit, Visarion Xhuvanit, Atë Valentinit, Imzot Gjinit, Kardinal Koliqit etj.

 

Kishë martire e misionarëve të martirizuar

Papa Françesku vjen në vendin me kishë të salvuar nën komunizëm, 1820 kisha të rrënuara dhe qindra klerikë të nxjerrë me përdhunë shtetërore nga misioni. Presidenti i Republikës, zoti Nishani, e quan disidencë qëndresën heroike të klerit katolik gjatë regjimit komunist, ngase është epopeja misionare më e përgjakur në krejt Europën Lindore, e finalizuar në të ashtuquajturin Muze Ateist. Kur zë në gojë martirët e kishës shqiptare, s’ka si të mos flasësh me përnderim dhe për një vajzë martire me emrin Marie Tuci, me formim kishtar, mësuese në një shkollë malësie, nga dera e Princit të Mirditës, krahinës që nuk e ndërroi besimin, e vetmja kompakte katolike në të gjithë Shqipërinë. Ajo ishte një shejtneshë, në shëmbëlltyrën e Shën Mërisë, thotë një e moshuar, komunistët e rrasën në qeli, e torturuan, por nuk u vërtetua fajësia e saj dhe ajo doli nga burgu, për t’u shuar një muaj më pas si një “bukuri që vret”. Për herë të parë në male po vriteshin gratë, çka nuk e kishte lejuar kurrë Kanuni. Po i vriste politika! Edhe sot gratë vriten mizorisht në familje, burri vret gruan, babai vret vajzën. Me siguri që nuk kanë për të munguar lutjet dhe mesazhet e Papës për familjen, por a do të kemi veshë të dëgjojmë e shpirt të jemi të ndjeshëm? E gjithë kisha ndër shqiptarë është martire. Edhe në Kosovë ka martirë, si Atë Gjeçovi, Atë Luigj Palaj etj. Atje është një vend që quhet Varret e Llukës ku Anton Çeta, mblodhi një gjysmë milion shqiptarë për pajtimin e gjaqeve dhe paqen mes njerëzve. Nuk kishte ndodhur më parë një tubim i atillë dhe kjo dëshmon se ç’forcë e energji kanë shqiptarët për paqen. Por ka dhe një lajm të fundit, sa befasues, aq lumturues. Arkeologët besojnë se në Kosovë (Ulpianë) kanë zbuluar kishën e parë në botë dhe se Kosova mund të jetë djepi i krishterimit të paktën për Ballkanin. Mendohet që faltorja e sipërthënë u kushtohet dy shenjtorëve dardanë Flori dhe Lauri. Kisha e parë e botës, në dioqezën e Nënë Terezës? Pse jo!

 

“Betania” në të gjithë Shqipërinë

Papa do të shkojë në qendrën “Betania” në Fushë-Krujë, por në Shqipëri ka misionarë dhe murgesha në çdo skaj nga e gjithë bota. Të sëmurët, tetra dhe paraplegjikët, jetimët, skamnorët janë misioni i tyre. Motër Virgjinia është vetëm njëra nga motrat. Ajo shkon rregullisht te fëmijët e Bardhajt në Komunën e Selitës, thotë se ata nuk janë “prishur” nga zakonet e kohës moderne. Të befason ky pohim, dhe pse ka një paradoks. Qytetërimi vjen për ta bërë më të mirë njeriun, apo për ta prishur atë në virtytin e tij? Bashkohemi dhe ne me thënien e murgeshës françeskane italiane, ndërkohë që paradoksi është i hershëm, kur dhe njëqind e njëzet vite më parë, një profesor i universitetit të Romës, Atë Anastazi, që kishte ardhur me mision në Rubik, lëshonte si një bubullimë thirrjen për ta ruajtur njerëzimin nga mbrapshtitë e shekullit të ri, prostitucioni, droga, AIDS etj. Në Fushë-Arës, dy murgesha gjermane, Bernadete dhe Gracia, shërbejnë që nga viti 1994. Ato kanë dhanë një ndihmë të madhe për banorët në sigurimin e dhjetëra banesave për të varfrit, apo trajtimin me ndihmë ekonomike të mbi 300 familjeve. Ndihmesë tjetër ka qenë formimi profesional i vajzave dhe grave, përmes kurseve të ndryshme, si dhe garantimi i shumë bursave të studimit brenda e jashtë vendit. Sipas banorëve, kontributi i tyre në këtë drejtim ka qenë më i madh se ai i vetë shtetit prej kohës kur janë vendosur aty. Ato flasin në gjuhën shqipe, që e kanë mësuar mjaft mirë gjatë këtyre njëzet viteve, një veti e gjithë misionarëve të huaj ndër ne. Njerëzit e besimit shquhen për modestinë e tyre, duhet të shtegtosh për tek ata, pasi asnjëherë nuk trokasin në media e nuk ngjiten në tribuna për të korrur duartrokitje. Njerëzit kanë se ç’të mësojnë nga thjeshtësia, përkorja dhe kumtet e njerëzve të mëdhenj, pikë së pari nga ato të Papës, që vjen mes nesh për një ripërtëritje shpirtërore dhe morale.

Top Channel