Detyrim paraqitjeje për “dhëndrin” dhe arrest shtëpie hidraulikut

20/09/2014 00:00

Banka e ShqiperiseGjykata e Apelit vazhdon të tregohet zemërgjerë me
ish-punonjësit e Bankës së Shqipërisë, të cilët akuzohen për shpërdorim
detyre, pasi me veprime apo mosveprime kanë lejuar që Thesari të vidhet
për katër vite me radhë.

Ka qenë radha e masave ndaj dy audituesve, të cilët më parë kishin fituar lirinë nga shkalla e parë. Emiljano Lamçe, i vetmi që hetohet me masën e sigurisë detyrim paraqitjeje, do të vazhdojë të ketë këtë masë sigurie. Në apel, mbrojtja kërkoi të lihet në fuqi kjo masë edhe për arsye se Lamçe martohet ditën e diel.

Prej muajsh ai kishte planifikuar të martohej këtë fundjavë dhe për këtë fakt, ai dhe avokati i tij, kanë kërkuar që masa detyrim paraqitjeje të lihet në fuqi. Ndërkohë, prokuroria kërkoi ndryshimin e masës dhe lënien në burg të këtij personi, pasi gjatë kontrolleve në Thesar nuk ka mundur që të konstatojë vjedhjen. Pas dëgjimit të palëve, gjykata vendosi të lërë të lirë Emiljano Lamçen, me kushtin që të shkojë një herë në javë në prokurori. Edhe për hidraulikun e Bankës së Shqipërisë, Mehdi Molla, Apeli vendosi ta lërë në arrest shtëpie, ashtu siç kishte vendosur Gjykata e Shkallës së Parë. Mehdi Molla i ka kushtuar këtij profesioni 46 vite të jetës së tij dhe ka 25 vjet që ishte pjesë e bankës. Për akuzën mbetet i dyshimtë fakti sesi një hidraulik të jetë pjesë e këtyre komisioneve që kontrollojnë për gjendjen e parave në Thesar. 64-vjeçari Molla deklaroi në seancë se ka punuar gjithmonë me ndershmëri në Bankën Qendrore dhe për gjithë vitet e tij nuk ka marrë asnjë vërejtje. Hidrauliku i bankës, pas vendimit të Apelit, është kthyer në shtëpinë e tij, ku do të qëndrojë aty deri në përfundimin e hetimeve.

Top Channel