Brown zotohet për mbajtjen e premtimeve

20/09/2014 00:00

Ish-kryeministri britanik Gordon Brown ka deklaruar se premtimet e bëra nga grupet që kundërshtonin pavarësinë e Skocisë do të çohen deri në fund.

Brown tha se është koha që të lëvizet nga fusha e betejës në fushën politike, një ditë pasi skocezët unionistë triumfuan ndaj atyre separatistë.

“Ne do t’u përmbahemi të gjitha premtimeve që kemi bërë”, deklaroi Brown, duke iu referuar opsioneve që politikanët anglezë dhe ata skocezë po shqyrtojnë për qeversjen e ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar.

Në një fjalim të tij, ish-kryeministri foli për tre angazhime të cilat sipas tij tregojnë se premtimet e bëra para referendumit do të mbahen:

1-një rezolutë është nënshkruar nga David Cameron, Nick Clegg, Ed Miliband, e hartuar nga vetë Brown, për ngritjen e një plani veprimi për një kushtetutë të re për Skocinë brenda janarit të ardhshëm. Kjo do të diskutohet të hënën në Dhomën e Përfaqësuesve;

2-punonjësit civilë janë në punë duke hartuar një projekt dhe plane të detajuara në mënyrë që “letra urdhëruese” që u jep më shumë kompetenca skocezëve të publikohet brenda tetorit;

3-një debat në Dhomën e Përfaqësuesve do të mbahet të enjten e 16 tetorit për t’u siguruar që planet në fjalë janë në rrugën e duhur.

Gjithësesi, pas rezultatit të së premtes ku 55 për qind e votuesve kundërshtuan pavarësinë kundrejt 45% që e mbështetën, ka pasur mosmarrëveshje të shumta mbi kohën dhe shpërndarjen e kompetencave për Skocinë.

Kryeministri David Cameron ka siguruar për mbajtjen e premtimeve të bëra nga tre partitë kryesore për t’i dhënë më shumë pushtet Parlamentit të Skocisë. Por nga ana tjetër, ai ka propozuar një sistem ku vetëm deputetët anglezë të mund të votojnë për çështjet e Anglisë në Parlament.

Kompetencat e reja për skocezët parashikojnë më shumë pushtet ndaj taksave, shpenzimeve dhe mirëqënies. Për to palët pritet të bien dakord brenda nëntorit, ndërsa legjislacioni i ri do të publikohet në janar.

Top Channel