Vlorë, pranga shefes së Përmbarimit

20/09/2014 00:00

Policia e Vlorës ka arrestuar pasditen e së shtunës drejtoreshën e Zyrës së Përmbarimit, Algerta Fejzulla, raportojnë burime policore nga qyteti bregdetar.

Sipas burimeve, zonja Fejzulla ka rënë në pranga nën akuzën e korrupsionit pasiv, duke keqpërdorur detyrën zyrtare.

Burimet saktësojnë se Fejzulla akuzohet se nuk ka ekzekutuar një vendim gjykate në këmbim të ryshfetit.

Për akuza të ngjashme dy ditë më parë policia e Vlorës bëri të mundur arrestimin e një personi të shpallur në kërkim, i akuzuar për shpërdorim të detyrës.

Vladimir Haxhira, ish-punonjës i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, u vu në pranga nga strukturat kundër krimit ekonomiko-financiar pasi në kohën kur ka qenë punonjës i këtij institucioni, në periudhën 2006-2008 ka falsifikuar kartelat e 3 pasurive me mbi 350 m2.

Ai ishte dënuar me tre vjet burg nga gjykata e Vlorës për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.

Top Channel