Siri, 66 mijë të larguar nga ISIS

20/09/2014 00:00

Rreth 66 mijë persona, shumica e të cilëve sirianë kurdë, kanë kaluar kufirin në Turqi në 24 orët e fundit, pasi militantët e Shtetit Islamik kanë avancuar në veri të Sirisë.

Turqia u hapi kufirin të premten sirianëve që ishin larguar nga qyteti kurd Kobane nga frika e një sulmi të ISIS-it. Aktivistët thonë se nga ana tjetër, rreth 300 luftëtarë kurdë kanë kaluar për në Siri nga Turqia për të ndihmuar në mbrojtjen e qytetit strategjik.

ISIS kontrollon zona të gjera të Sirisë dhe Irakut dhe ka zaptuar edhe dhjetëra fshatra përreth qytetit Kobane, i njohur ndryshe si Ain al Arab.

Turqia, që ndodhet në kufi me Irakun dhe Sirinë, ka strehuar mbi 847 mijë refugjatë që nga kryengritja kundër presidentit sirian Bashar al Assad tre vite më parë.

Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmus konfirmoi se të shtunën 66 mijë refugjatë kishin kaluar kufirin brenda një harku kohor prej 24 orësh.

“Asnjë vend në botë nuk mund të marrë 66 mijë refugjatë në një natë të vetme, t’u ofrojë atyre një strehë dhe të kujdeset për ta”, tha ai.

Ndërkohë, mijëra sirianë të tjerë janë duke pritur në anën tjetër të kufirit për ta kaluar atë. Familjet po presin njerëzit e tyre që të hyjnë në Turqi dhe të bashkohen me ta.

Në anën turke të kufirit, për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve janë vendosur autobusë dhe ambulanca, ndërkohë që e pranishme është edhe ushtria, e cila patrullon por nuk ndërhyn.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut deklaroi ndërkohë se të paktën 300 luftëtarë kurdë i janë bashkuar ndërkohë kurdëve sirianë në Kobane, për të ndihmuar në zmbrapsjen e ISIS-it. Megjithatë, grupi aktivist nuk saktësoi se cilit grup kurd i përkisnin të ardhurit e rinj.

Top Channel