Qytetarë të shumtë nga Kosova kanë kaluar këtë të shtunë pikën kufitare të Morinës, për t’iu drejtuar Tiranës e jo pak prej tyre e kanë ndërmarrë këtë udhëtim nga kureshtja për vizitën e Papa Françeskut.

“Jam mysliman, por po shkoj seppse ai është njeri i Zotit”, thotë Afrim Hasani për mikrofonin e Top Channel.

“Është shumë e rëndësishme për kombin shqiptar që vjen Papa”, shprehet udhëtarja tjetër Sakibe Doli.

“Ai është njeri i Zotit. Edhe pse jam mysliman po shkoj atje”, thotë udhëtari tjetër Bajram Rexha.

Kalimi i qytetarëve si me automjetet e tyre private ashtu dhe me autobusë të angazhuar enkas për Papa Françeskun është bërë nën masa të shtuara sigurie.

Gjatë një vëzhgimi të Top Channel në kufi, në të dy anët e tij u vu re prania e forcave të repartit Delta Force dhe të njësisë kosovare “Reagimi i Shpejtë”.

Kolonat e krijuara që prej orëve të para të mëngjesit e kanë detyruar policinë e Kosovës të shtojë kapacitetet. Ndërkohë, e kontaktuar me telefon zëdhënësja e Policisë së Shtetit shqiptar, Laura Totraku konfirmoi se deri në orën 16 në pikën kufitare të Morinës kanë kaluar kufirin rreth 3.400 qytetarë. Lëvizja deri në këtë orë është realizuar pa asnjë incident, bën të ditur policia shqiptare.

Top Channel