At Lombardi: Shqipëria, vendi i parë që vizitohet në Europë

20/09/2014 00:00

Vetëm pak orë përpara vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri, në një intervistë ekskluzive për Top Channel, shefi i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, At Federico Lombardi tregon detajet e fundit dhe motivet e kësaj vizite.

“Ne jemi të gjithë shumë të lumtur dhe të mbushur me gëzim që do ndërmarrim këtë udhëtim. Edhe Papa na ka thënë shumë herë për dëshirën e tij për të ardhur në Shqipëri, për të inkurajuar kishën dhe popullin shqiptar, pas rilindjes nga koha e komunizimit. Në veçanti Papa, siç e ka thënë shumë herë, vlerëson bashkëjetesën fetare që ka Shqipëria dhe në ditët e sotme, me atë që po ndodh në botë. Kjo është një dhuratë shumë e çmuar”, ka deklaruar At Lombardi.

At Lombardi, veç këtyre motiveve ka zbuluar dhe një tjetër motiv se pse Papa Françesku zgjodhi Shqipërinë. “Është vendi i parë në Europë që Papa viziton dhe kjo do të thotë që Papa nuk impresionohet nga pushteti ose madhësia e shteteve. Nuk niset nga Londra, nuk niset nga Berlini, nuk niset nga Parisi, por niset nga Tirana. Kjo do të thotë që Papa është i ndërgjegjshëm për rëndësinë, dinjitetin dhe respektin që meritojnë të gjitha kombet, edhe pse në krahasim me vendet e tjera, në gjeopolitikën botërore kanë një peshë në dukje më të vogël, por janë denjësisht të barabartë. Pastaj, kushdo që vjen në Shqipëri nuk ka si mos të mendojë për Nënë Terezën. Faktit të madhësisë shpirtërore që mund të lindë në këto vende dhe të bëhet një mesazh për botën”, ka thënë At Lombardi.

I pyetur lidhur me natyrën e Papa Françeskut dhe faktin se shpesh herë ai ka thyer protokollet dhe nëse do ta bëjë një gjë të tillë edhe në Shqipëri, At Lombardi është shprehur:

“Është mënyra e tij e të sjellurit. Do të ishte e çuditshme nëse nuk do ta bënte, por se si ne nuk e dimë. Është pikërisht natyra e tij spontane e të sjellurit, fakti që lëviz dhe sillet lirshëm, që do të thotë që është i paparashikueshëm në veprime”.

Duke u ndalur tek lajmet që kanë qarkulluar në mediat ndërkombëtare lidhur me kërcënimet e mundshme nga grupi terrorist ISIS, shefi i Zyrës së Shtypit i Selisë së Shenjtë shprehet se ata vijnë të qetë në Tiranë, për të kaluar një ditë të gëzueshme.

“I njëjti ambasador i Irakut, në një letër që dërgoi pas daljes së artikujve në mediat italiane, shpejgon se është keqinterpretuar deklarata e tij. Prandaj ne jemi të idesë që nuk ka asnjë alarm. Ne në Vatikan nuk na rezultojnë motive që të jemi të shqetësuar, apo kërcënime ndaj Papës, prandaj dhe sillemi në mënyrë natyrale”, ka thënë At Lombardi.

At Federico Lombardi ka komentuar dhe dekorin e Tiranës, e në veçanti fotografitë e 40 martirëve të vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur ndjeshmërinë e tij për këto figura, të cilat kanë dhënë jetën për fenë.

Top Channel