Raport-progresi: Stano: Po mbajmë shënim çdo gjë

20/09/2014 00:00

Sundimi i ligjit, reforma e gjyqësorit dhe e administratës publike do të jenë sërish në fokus të raportit vjetor të progresit të Komisionit Europian mbi Shqipërinë, që pritet të publikohet më 8 Tetor.

Në një intervistë për TCH, zëdhënësi Peter Stano rrëfen se Komisioni ka mbajtur shënim dhe çështjen e guvernatorit të Bankës Qëndrore.

“Ka patur shumë ngjarje gjatë muajve të fundit. Mbajtëm shënim çështjen e guvernatorit të Bankës Qëndrore dhe po e ndjekim atë nga afër. Por, ne nuk komentojmë në raste të tilla që janë në proces hetimi. Nevojitet që vendi të kryejë reformën e gjyqësorit, atë të sundimit të ligjit, reformën e administratës publike. Këto janë fushat e rëndësishme ku qeveria duhet të vazhdojë përpjekjet për intensifikimin e reformave, siç jemi shprehur disa herë, dhe një forum i Dialogut të Nivelit të Lartë është ngritur, ku ne merremi, rregullisht, me këto çështje, raundi i fundit ishte në Qershor dhe i ardhshmi mbahet më vonë gjatë këtij muaji. Këto janë çështjet, dhe e rëndësishme për ne është që të shohim se qeveria po bën përpjekje për të reformuar vendin në disa fusha dhe arrin rezultate në zbatimin e reformave dhe ç’është më e rëndësishme, qytetarët i shohin këto rezultate dhe se si zbatohen reformat e nevojshme”, deklaron Stano.

Më 29 Shtator, Stefan Fule pritet të vizitojë Tiranën, për të fundit herë në cilësinë e Komisionerit për Zgjerimin e Fqinjësinë, në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë për 5 prioritetet kyçe, që nisi një vit më parë si forumi për nxitjen e dialogut politik.

“Në çdo shoqëri të pjekur e demokratike, parlamenti është forumi për shkëmbim pikëpamjesh, për diskutim çështjesh dhe gjetjen e zgjidhjeve. Ua shpjegojmë prej vitesh tashmë partnerëve tanë shqipëtarë se nevojitet angazhimi dhe dialogu konstruktiv. Gjithësecili duhet të jetë i ndërgjegjshëm mbi përgjegjësinë për të çuar vendin përpara  në këtë proces demokratik. Qeveria nevojitet të jetë e vetëdijshme se procesi i reformave është gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm, e për këtë është i rëndësishëm dialogu konstruktiv. Njësoj për opozitën, duhet përparuar drejt një dialogu konstruktiv, nëse dëshironi të arrini diçka. Nevojitet të vendosni interesat e vendit mbi ato partiaket dhe të gjeni mënyra se si të angazhoheni, qeveri dhe opozitë, në një dialog konstruktiv, sepse parlamenti është forumi për shkëmbim mendimesh e gjetjen e zgjidhjeve në një shoqëri demokratike”, thekson Stano.

Lidhur me mandatin e Komisionit të ardhshëm për të çelur negociata anëtarësimi me Shqipërinë, Stano shpjegon se kur vendi të jetë gati, vendet anëtare mandatojnë egzekutivin europian për nisjen e bisedimeve.

“Unë nuk mund të flas mbi komisionin e ri që tani kalon në proces votimi nga Parlamenti Europian. Unë mund të them vetëm se ka një politikë mjaft të qartë të BEsë që quhet Zgjerim dhe është një prej politikave më të suksesshme dhe kyçe për BEnë. Është politika ku vendet anëtare në mënyrë të vazhdueshme kanë përsëritur vendosmërinë e tyre ndaj saj dhe procesi vazhdon mbi bazën e meritave dhe performancës së çdo vendi sepse është një proces i besueshëm. Ju dorëzoni mbi angazhimet dhe kriteret e vendosura, dhe BE dorëzon mbi premtimet e bëra. Kështu, nëse vendi përmbush kriteret për marrjen e statusit kandidat, merr statusin e vendit kandidat, siç ndodhi Qershorin e kaluar me Shqipërinë. Nëse vendi plotëson kriteret për të nisur negociatat e anëtarësimit, atëherë është një çështje besueshmërie për BEnë që të çel negociatat me këtë vend. Ndaj besoj se ajo çfarë ndodh në  vitet e ardhshme me Komisionin e ri  do të varet shumë nga Shqipëria për atë që jep, sepse pas marrjes së statusit kandidat, vendi tashmë duhet të fokusojë gjithë përpjekjet dhe energjinë për t’u përgatitur për nisjen e negociatave. Më pas, vendet anëtare vendosin se ka ardhur koha dhe detyrojnë Komisionin për nisjen e negociatave”, shton Stano.

Top Channel