“Feja, jo pretekst i akteve të dhunshme”

21/09/2014 00:00

Papa Françesku, në atë që mund të konsiderohet si kritika më e ashpër ndaj militantëve islamik deri më sot, është shprehur gjatë vizitës historike të tij në Shqipëri se “asnjë grup fetar, i cili përdor forcën apo shtypjen, nuk mund të pretendojë të jetë ushtria e Zotit”.

Ati i Shenjtë i bëri këto komente gjatë vizitës në Tiranë, teksa fliste pas takimit në pallatin presidencial me Presidentin Bujar Nishani, duke e quajtur vendin si një “model të harmonisë ndërfetare”, për shkak të marrëdhënieve të mira mes muslimanëve dhe të krishterëve.

“Mos lejoni askënd ta quajë veten ‘forcë’ e Zotit, teksa planifikon apo kryen akte të dhunshme dhe shtypjeje’, tha ai gjatë adresimit ndaj popullit shqiptar, në krah të Presidentit Nishani.

“Askush nuk duhet ta përdorë fenë si një pretekst për të kryer akte kundër dinjitetit njerëzor dhe kundër të drejtave themelore të çdo burri e gruaje, e mbi të gjitha kundër të drejtës për të jetuar e të drejtës për të besuar lirshmërisht”, tha Ati i Shenjtë.

Papa Françesku nuk bëri asnjë referencë të drejtpërdrejtë ndaj militantëve të Shtetit Islamik, të cilët kanë pushtuar territore të tëra në Siri dhe Irak, por ishte e qartë që ngjarjet në Lindjen e Mesme ishin në qendër të vëmendjes së tij.

Shteti Islamik ka deklaruar krijimin e “kalifatit” në territoret e kontrolluara prej tyre dhe kanë vrarë apo dëbuar të gjithë të krishterët, muslimanët shiitë dhe persona të feve të tjera, të cilët nuk i nënshtrohen versionit ekstrem të islamizmit sunit të tyrin.

I pyetur specifikisht në lidhje me Shtetin Islamik, muajin e kaluar kur kthehej nga një udhëtim në Korenë e Jugut, Papa Françesku mbështeti veprimet e komunitetit ndërkombëtar për të ndalur “agresionin e padrejtë”.

Top Channel