“Papa në Shqipëri, në gjurmët e Nënë Terezës”

21/09/2014 00:00

Papa Françesku mbërriti në Shqipëri, në këtë vend të Ballkanit – të udhëhequr prej një koalicioni muslimanësh, katolikësh e ortodoksësh, – të cilin synon ta prezantojë si një model të bashkëjetesës, pavarësisht varfërisë, duke ia kundërvënë këtë realitet deri edhe europianëve më të bekuar me bollëk.

Jo pa qëllim, për të përshkruar vizitën e Atit të Shenjtë më modeste e të përulur, siç është shfaqur që në fillim, mediat franceze përfshijnë edhe këtë detaj; përulësinë, largimin prej luksit e afrimin shpirtërisht me tjetrin, i cilitdo besimi qoftë ai. Siç bënte, në fund të fundit, edhe shqiptarja e madhe Nënë Tereza.

Ndaj dhe titulli i një shkrimi online është pikërisht ky: Papa Françesku në Shqipëri, në gjurmët e Nënë Terezës.

Me mijëra vetë mbushën qendrën e Tiranës, në sheshin që mban emrin e bamirëses së paharruar, vendi i zgjedhur për meshën e shumëpritur. “Kisha katolike shqiptare është një kishë martire dhe me këtë vizitë të Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut, vendin tonë do ta njohë e gjithë bota mbarë”, citohet të ketë thënë një besimtare katolike 51-vjeçare.

Në të njëjtin shkrim vjen edhe komenti i një besimtari musliman 85-vjeçar, i mbërritur në Tiranë nga Laçi me disa pjesëtarë të tjerë të familjes së tij, posaçërisht për këtë rast.

“Ne i përkasim një komuniteti tjetër fetar, – thotë ai, – por për respekt dhe mirënjohje erdhëm këtu, të marrim bekimin papnor. Vetë Papa argjentinas, gjatë fluturimit i tha gazetarëve: Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë, por që megjithatë arriti të gjente paqen mes feve të ndryshme të saj”.

“Ky ekuilibër në favor të qeverisjes është një shenjë e mirë për botën”, kanë qenë fjalët e tij. Vetë kardinali Pietro Parolin, Sekretar shteti i Vatikanit, e shpjegoi kaq thjesht thelbin e kësaj vizite: që feja, – tha ai, – të mos jetë më kurrë arsye konflikti.

Që në udhëtimin e tij drejt Koresë së Jugut, Papa Françesku e kishte shpjeguar ndalesën e vet në “vendin e shqiponjave” me shumicë muslimane, me ekuilibrin fetar që mbizotëron këtu. Prania e Papës, – shkruajnë mediat franceze, – do të shërbejë për t’i treguar të gjithë popujve të botës se bashkëpunimi është i mundur.

Top Channel