Shqipëria, si një mesazh për të gjithë botën

21/09/2014 00:00

E para vizitë e Papës Françesku, në një vend europian jashtë Italisë, nuk mund të ishte përveç se e destinuar të rrëmbente vëmendjen e mediave botërore.

Dhe, pyetja më e logjikshme e këtij momenti është, padyshim, “Përse pikërisht Shqipëria, një vend i vogël pa ndonjë peshë të madhe ekonomike dhe politike?”.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, profesor Erich Leitenberger, i fondacionit “Pro Oriente”, shpjegon se ka disa motive për një zgjedhje të tillë, duke nisur që nga pozicioni gjeografik, që mund të konsiderohet i njëjtë edhe në pikëpamjen fetare: është një vend në mes të Lindjes dhe Perëndimit.

“Në Shqipëri ka shumë katolikë, por edhe shumë të krishterë ortodoksë dhe shumë muslimanë e bektashinj. Përveç kësaj, Shqipëria është ai vend i Europës, ku ateizmi i shtetit komunist ka qenë ndoshta më i forti, sepse atje, në vitin 1967, gjatë regjimit të Enver Hoxhës, u ndalua çdo veprimtari fetare dhe u shkatërrua i gjithë kuadri institucional i bashkësive fetare. Por, ajo që natyrisht nuk mund të shkatërrohej, është besimi në zemrat e njerëzve. Pas rënies së komunizmit, ky besim u bë pësëri shumë i dukshëm në Shqipëri. Këtë e sheh edhe në kishat e shumta, që janë restauruar apo janë ngritur të reja; e kam fjalën për katedralet katolike dhe ortodokse në Tiranë dhe për shumë kisha të tjera. Ky është një aspekt i rëndësishëm dhe, përveç tij, ka natyrisht edhe një aspekt tjetër, që e bën veçanërisht interesante vizitën e Papës. Shqipëria është një vend mesdhetar, i cili ka arritur ndoshta më së miri, që të ketë një bashkëjetesë paqësore dhe miqësore mes bashkësive fetare. Kjo është e lidhur me historinë e Shqipërisë, edhe me faktin se në familjet shqiptare i gjen shpesh të dyja fetë, sepse ka fe të përziera, që është gjë shumë e rrallë në ambientet me përbërje muslimane. Kjo, në Shqipëri, është krejtësisht e mundur”, tha profesor Erich Leitenberger.

Leitenberger i përshkruan më tej shqiptarët, si tepër krenarë për harmoninë e tyre fetare, e një e tillë, siç thekson ai, vlerësohet edhe nga jashtë.

“Mendoj se ky është një kontribut i madh, që Shqipëria jep për kapërcimin e problemeve të bashkëjetesës në fillim të këtij shekulli, në Europë dhe në gjithë zonën e Mesdheut. Në këtë pikë, Shqipëria mund t’i japë diçka bashkësisë së kombeve. Nga Shqipëria mund të mësohet shumë në këtë drejtim”, tha Leitenberger.

Në një kohë me trazira të mëdha në vatra të caktuara nëpër botë, – vazhdon “Deutsche Welle”, – Papa do të dëshmojë, përmes shembullit të Shqipërisë, realitetin dhe mundësinë e bashkëjetesës miqësore mes feve. Në këtë këndvështrim, vizita e tij ndiqet me një vëmendje të veçantë, si një shëmbëlltyrë e bukur e bashkëjetesës fetare në sfondin e frikës, armiqësisë dhe shtypjes së situatave në Irak e Siri, ku njerëzit sulmohen prej fanatikëve për shkak të besimit të tyre.

Top Channel