“Një vend që po kapërcen të shkuarën”

21/09/2014 00:00

Në Shqipëri, Papa Fraçesku gjen një kishë në rritje, në një vend që ende është duke u mësuar me konceptin e demokracisë, e që po mëson sërish çfarë do të thotë të besosh në Zot. Disa breza u rritën në një shoqëri, e cila u përpoq ta fshinte Zotin nga ndërgjegjia publike e private.

Në sytë e At Carlo Lorenzo Rossetti, i vendosur këtu që prej 2003-shit e i cituar nga shoqata katolike e bamirësisë “Aid to the Church in Need”, Shqipëria është si një “adoleshent” që vuajti një fëmijëri të ashpër, të vështirë, ndërsa tani po kalon nëpër procesin e rritjes.

Në aspektin social duhet parë si një vend, që përpiqet të kapërcejë të shkuarën, atë të kaluar të tmerrshme të diktaturës, ateizmit dhe izolimit të plotë. Tundimi më i madh është të dorëzohesh, të heqësh dorë e ta harrosh këtë vend, me arratisje përmes emigracionit.

Politikisht, ajo ende po mëson se çfarë është demokracia. Të mos harrojmë, – thote At Rossetti, – se ky lloj sistemi politik, i konsideruar më se normal në botën perëndimore, në vendin e varfër të Europës Lindore nuk kishte ekzistuar kurrë deri më tani.

Trashëgimia klasike e filozofisë greke, kulturës qytetare romake dhe natyrës shpirtërore biblike, të cilat qëndrojnë në themelet e demokracisë moderne dhe të drejtave të njeriut, në historinë shqiptare, në masë të madhe janë anashkaluar.

Ekonomikisht pastaj, vazhdon ecjen pas nisjes nga pika zero. Rreziqet e mëdha mbeten korrupsioni, shfrytëzimi, mungesa e të drejtave të punëtorëve… Por, ajo që At Rossetti thekson më fort është fakti që Shqipërisë i duhet t’u rezistojë sot dy tundimeve të mëdha të kohës: ateizmit dhe fundamentalizmit islamik.

Në këtë sens, mendimi i moderuar fetar mund të jetë shumë i dobishëm në propozimin e një modeli pozitiv të familjes, thotë At Rossetti. Sfidat e kishës – sipas tij, – janë disa, ndër të cilat në radhë të parë vjen përmirësimi i jetës së krishterë, përmes rizbulimit të qëllimit të saj fillestar, i cili është ungjillizimi, përcjellja e fjalës së Krishtit, që zbulon identitetin e vërtetë të çdo qenieje njerëzore.

Jemi të gjithë bij të Zotit, përfundon ai, të destinuar për jetë të përjetshme e gëzim, por mbi të gjithë për të jetuar me njëri-tjetrin në dashuri e harmoni të pakushtëzuar.

Top Channel