Maldivet, e rëndësishme është pjesëmarrja

21/09/2014 00:00

Ka raste kur rezultati nuk ka fare rëndësi dhe në rastin e Maldiveve kjo gjë është shumë e vërtetë. Shteti i vogël me 400 mijë banorë i formuar nga disa ishuj në Oqeanin Indian dhe që aktualisht po merr pjesë në Lojërat Aziatike në Incheon të Koresë së Jugut ka pësuar vetëm humbje të thella në sportet ku merr pjesë.

Në futboll për femra, pas humbjes 10-0 ndaj Tajlandës, Maldivet u mundën 15-0 ndaj Indisë. Në not, stafetën 4×100 stil i lirë notaret maldiviane e përfunduan për më shumë se 5 minuta, kur rekordi i botës është 3 minuta e gjysmë.

Ndërsa, shembulli i fundit vjen nga hendbolli për meshkuj. Maldivet u mundën 79-0 nga Japonia. Asnjë gjuajtje në portën kundërshtare, 11 lojtarë japonezë shënuan në të gjitha gjuajtjet e tyre dhe në fund të pjesës së parë rezultati ishte 40-0. Portieri i Maldiveve nuk priti as edhe një top që po shkonte në drejtimin e rrjetës.

Tragjedi? Jo, është vetëm sport dhe rëndësi ka pjesëmarrja.

Top Channel