Vatikani: Faleminderit për mikpritjen

21/09/2014 00:00

Vetëm pak orë pas vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, në një konferencë për shtyp në Pallatin e Kongreseve, shefi i zyrës së Selisë së Shenjtë At Federico Lombardi ka falenderuar të gjithë ata që bënë të mundur që kjo ditë të shkojë mbarë. Në fjalën e tij ai ka theksuar se Ati i Shenjtë është i kënaqur me organizimin dhe mikpritjen gjatë kësaj vizite.

“Ka qenë një organizim shumë i mirë. Ju falenderojmë të gjithëve për këtë ditë të shkëlqyer”, u shpreh At Federico Lombardi.

Duke u ndalur te kërcënimet e mundshme, zëdhënësi ka thënë se eskorta është ndier mjaft e sigurt në Shqipëri dhe se nuk ka pasur aspak probleme në këtë drejtim.

Ndërsa skepticizmit të shumëkujt, se pas kësaj vizite fshihen qëllime politike për njohjen e Pavarësisë së Kosovës ai u përgjigj: Ky është një udhëtim vetëm fetar në Shqipëri për qëllime që ne i dimë. Nuk ka aspak qëllime politike apo diplomatike.  

Sa i takon pjesëmarrësve, At Federico Lombardi ka thënë për gazetarët se kanë qenë rreth 300 mijë persona që kanë mbushur bulevardin dhe kanë ndjekur Meshën e Shenjtë.

Shefi i Zyrës së Selisë së Shenjtë ka zbardhur edhe mesazhin që Ati i Shenjtë ka lënë në “Librin e Artë” në ambientet e Presidencës.

“Popullit shqiptarë. Me respekt dhe admirim për dëshminë dhe vëllazërinë e tij për të çuar përpara vendin”.

Top Channel