Rama: Bashkëjetesa mes feve, thesar i madh

21/09/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për media, pas largimit të Atit të Shenjtë në vendin tonë, vlerësoi se bashkëjetesa ndërfetare është një thesar për Shqipërinë, ndërsa shprehu krenarinë dhe vlerësimin për atë çfarë u realizua në këtë ditë historike për Shqipërinë.

“Jam shumë krenar sot për atë që kemi mundur të bëjmë sot të gjithë së bashku. Në radhë të parë shumë krenar për atë që bënë sot, duke dëshmuar me praninë dhe angazhimin e tyre atë që është e përditshmja jonë e panjohur për të tjerët, të gjithë përfaqësuesit e Klerit shqiptar. Posaçërisht të gjithë ata që përfaqësojnë besime të ndryshme, të cilët e bënë Shqipërinë të ishte çudia në çdo ekran e çdo sy që zbulojë falë Atit të Shenjtë një Shqipëri të ndryshme nga ajo e stereotipeve”, u shpreh Rama.

Kreu i Qeverisë theksoi se bashkëjetesa mes feve në Shqipëri është me rëndësi të madhe, e kjo gjë tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës.

“Sprova e bashkëjetesës së paqtë fetare në Shqipëri, e cila ka kaluar përmes errësirash, prej ferri dhe acaresh shpirtërore të pashoqe në të kaluarën, por e cila gjendet përball tundimesh dhe kërcënimesh edhe në të sotmen, ishin arsyeja themelore pse ne dëshiruam me gjithë zemër ardhjen e Papa Françeskut. Ardhja ne Shqipëri e nje lideri te përbotshëm, e një flamurtari te përbotshëm kundër paragjykimit të ndasive mes njerëzve për motive të ndryshme dhe mbi të gjitha pritja e Atit të Shenjtë me kaq dëshirë dhe me kaq entuziazëm nga të krishterë dhe myslimanë është në vetvete një mrekulli”, theksoi Rama.

Duke shtuar se është e vështirë që të parafytyrohet një pritje e tillë, në një vend si i yni, kur më parë feja dhe kleri u dogjën dhe u masakruan, e sot feja dhe kleri janë pjesë e tharmit që përbashkon, Rama vlerësoi se pamja e sotme e liderëve të komuniteteve të ndryshme fetare në pritjen organizuar për Papën tregoi hapur thesarin që mbart ky vend.

“Nuk është aspak e rastit që udhëtimi i Papës për të vizituar Europën nis nga Shqipëria, nis nga Tirana e varfër jo nga Brukseli i pasur. Nis nga Ballkani Perëndimor, këtu ku 100 vjet më parë nisi Lufta e Parë Botërore dhe për 100 vjet luftërat konfliktet sherret ishin një bashkudhëtar dhe sot ka paqe dhe vullnet për bashkëpunim dhe transformim. E pra, zor të përfytyrohet një gjë e tillë diku tjetër në botën tjetër. Në asnjë vend tjetër feja dhe kleri nuk u vranë e gjymtuan. Këta asgjë nuk mund ta përcaktojë më bukur sesa pamja e liderëve të komuniteteve të ndryshme fetare”, shtoi Kryeministri Rama.

Zoti Rama u shpreh se kjo vizitë do të shërbejë edhe për të sjell një reflektim në të gjithë atë pjesë të botës që i ka paragjykuar shqiptarët. “Nga sot ne do të shihemi si një vend ndryshe”, deklaroi ai. 

Në fund të fjalës së tij Kryeministri Rama ka falenderuar ata që e bënë të mundur organizimin e kësaj pritjeje, e cila sipas tij, “ka befasuar palën e Vatikanit e miq të huaj në Shqipëri”. 

Top Channel