Lutje për martirët e Kishës Katolike

21/09/2014 00:00

Papa Françesku mbërriti në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku së bashku me rreth 800 klerikë ka mbajtur lutjen e mbrëmësores.

Pas bekimit të kambanave të katedrales së Rrëshenit, Papa ka hyrë brenda katedrales së Shën Palit në Tiranë, ku ceremonia fetare iu kushtua atyre që sot njihet si klerikët martirë, 40 prej të cilëve presin lumturimin nga Vatikani, akt për të cilin, shkoi lutja e kreut të Kishës Katolike, Imzot Rrok Mirdita, pa harruar mesazhin e vlerës së vyer shqiptare, mirëkuptimin mes besimeve të ndryshme.

“Paqja e harmonia ndërfetare që kemi arritur në Shqipëri është fryt i flijimit të themeluar mbi fenë dhe njëkohësisht dëshmi e fuqishme e dashurisë që të bën për vete”, u shpreh Imzot Rrok Mirdita.

Por përpara lutjes së përbashkët për Papën ishte rezervuar dëgjimi i dy dëshmive të klerikëve, te fundit ndoshta që janë ende gjallë nga koha e komunizmit.

Don Ernest Simon Trashani, është njëri prej tyre. Dëshmia rrëqethëse e të cilit, për arrestimin, torturimin në burgjet e regjimit komunist, bën të tingëllojë si mrekulli që ai është ende gjallë dhe përpara altarit të kreut të Vatikanit.

“Donin të qëndroja larg fesë, të isha kundër saj, por unë nuk pranova asgjë. Nga torturat isha gati i vdekur. Kur hetuesit e panë që isha në momentet e fundit të jetës më liruan. Zoti deshi që unë të vazhdoja jetën përsëri”, tha Don Ernest Simon Troshanni.

Motër Maria Kalata ishte dëshmia tjetër e gjallë e persekutimit të Klerit në kohën e diktaturës, të cilat vetëm ia ka rritur besimin në zot dhe dashurinë për vendin.

Ishin këto dy dëshmi që bënë Papa Bergolion të linte mënjane fjalimin e parapërgatitur. “Unë kisha përgatitur disa fjalë për ju, por tani dua të them disa gjëra të tjera”. U shpreh Papa Françesku.  

E në këtë rrëfim të ndjerë, pasi është njohur me historinë e Shqipërisë, Papa e ka pagëzuar Shqipërinë si tokën e martirëve.

“Në këto dy muaj jam përgatitur për këtë vizitë duke lexuar historinë e persekutimeve në Shqipëri. Për mua ishte një surprizë, nuk e dija që populli juaj kishte vuajtur kaq shumë. Më pas, sot nga aeroporti deri në shesh, të gjitha ato fotografi të martirëve. Duket që ky popull ka akoma në memorie martirët e tij, ata që kanë vuajtur shumë. Popull martirësh.

Top Channel