“Bashkëjetesa fetare, një dhuratë e Zotit”

21/09/2014 00:00

Në Universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Papa Françesku zbuloi përpara botës një nga thesaret më të vyera të shqiptarëve ndër shekuj, harmoninë dhe tolerancën fetare.

Takimi me përfaqësuesit e 5 komuniteteve fetare zyrtare të Shqipërisë ishte për Atin e Shenjtë një mundësi e rrallë për një faleminderit të rrallë.

“Është e rëndësishme që jeni këtu së bashku! Është shenjë e një dialogu që e jetoni çdo ditë, duke kërkuar që të ndërtoni mes jush marrëdhënie vëllazërore dhe bashkëpunimi për të mirën e të gjithë shoqërisë. Faleminderit për këtë që bëni”, u shpreh Papa Françesku.

Ky ishte vendi i përkryer që Papa Françesku t’i jepte një mesazh të fortë botës së trazuar nga dhuna në emër të fesë.

“Feja autentike është burim paqeje dhe jo dhune. Askush nuk mund të përdorë emrin e Zotit për të ushtruar dhunë. Të vrasësh në emër të Zotit është një sakrilegj i madh. Të diskriminosh në emër të Zotit nuk është njerëzore. Liria e besimit është një hapësirë e përbashkët, si kjo këtu, një mjedis respekti dhe bashkëpunimi që duhet të ndërtohet e pjesëmarrjen e të gjithëve, edhe të atyre që nuk kanë asnjë besim fetar”, theksoi Papa.
 
Por a mund te dialogojnë qytetërime me besime të ndryshme fetare, pa ndryshuar asgjë nga kultura, feja, besimi i vet? Për Papa Françeskun përgjigja është shumë e thjeshte, shumë konkrete, shumë e paqtë.

“Nuk mund të dialogohet, nëse nuk nisesh nga identiteti yt. Pa identitet nuk mund të ketë dialog. Do të ishte një dialog fantazmë, në ajër: Kjo nuk shërben. Secili prej nesh ka identitetin e vet fetar dhe i është besnik atij. Por zoti di si ta çojë përpara historinë. Le të nisim secili nga identiteti i vet pa u shtirur sikur kemi një tjetër, sepse nuk shërben, nuk ndihmon. Duke bërë ne mund të ecim së bashku si vëllezër, por ajo që është më e rëndësishme dhe më e bukur është që të ecim së bashku pa tradhtuar identitetin tonë, pa e maskuar, pa hipokrizi”, shtoi Papa Françesku.
 
Me një gjuhë shumë miqësore ndaj udhëheqësve fetarë shqiptarë, Papa Françeksu u kërkoi atyre ta ruajnë dhe ta zhvillojnë më tej traditën e raporteve të mira mes komuniteteve fetare, një tradite që ndër shekuj i ka shërbyer atdheut dhe kombit. Sepse, në ditët më të vështira për këtë vend, shqiptarët kanë valëvitur së bashku flamurin e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare me flamurin e identitetit kombëtar. Dhe si për ta vënë sa më shumë këtë pikë, Papa Françesku i lejoi vetes edhe një batutë.

“Me pak sens humorizmi, mund të thuhet se kjo duket si një skuadër futbolli: Katolikët kundër gjithë të tjerëve, por të gjithë së bashku për të mirën e atdheut dhe të njerëzimit! Vazhdoni të jeni shembull, për vendin tuaj dhe jo vetëm, i mundësisë së marrëdhënieve të përzemërta dhe të bashkëpunimit të frytshëm të besimeve të ndryshme”.
 
Ati i Shenjtë, me një përulësi dhe modesti mbresëlënëse, u kërkon edhe diçka për vete udhëheqësve shpirtërorë fetarë të Shqipërisë: Dhe ju kërkoj një nder: Të luteni për mua! Edhe unë kam nevojë, kam shumë nevojë. Faleminderit!

Top Channel