Ndahet nga jeta Besa Imami

22/09/2014 00:00

Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare aktorja e skenës shqiptare,
Besa Imami. Ajo vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Aktorja Besa Imami ka lindur në 8 Gusht të vitit 1928 në qytetin e Gjakovës. Në vitin 1937, familja e saj u shpërngul nga qyteti i Gjakovës për t’u vendosur në Tiranë. Artistja e Merituar, Besa Imami i dha publikut mbi 90-të role, midis të cilave përmendim rolin e Mbretëreshës Teuta tek “Artani”, rolin e Nënë Zyrasë te “Bashkë me Agimin”, rolin e Prendës te “Cuca e Maleve”, rolin e Rushës te “Halili dhe Hajria”, rolin e Lajes te “Lulet e Shegës” etj.

Në kinematografi ajo u bë e njohur për publikun e gjerë me rolin e Donika Kastriotit në filmin “Skënderbeu” të realizuar në vitin 1953. Më pas do të vijonin role të tjera në filmin “Brazdat” në vitin 1973, “Në fillim të verës” në vitin 1975’.

Pas një shkëputje, Imami u rikthye përsëri në skenë në vitin 2004 për të interpretuar në dramën “Streha e të harruarve” të Ruzhdi Pulahës në rolin e malësores. Më pas do të vijonin role të tjera si roli i Martës në filmin “Brazdat” në vitin 1973, roli i Nënë Tanës në filmin “Në fillim të verës” në vitin 1975, roli i Nënës së Gurgenit në filmin “Balada e Kurbinit” në vitin 1989 etj.

Roli i saj më i fundit është ai i Gruas myslimane në filmin “Eduart”në vitin 2006. Ajo gjithashtu ka interpretuar edhe në operën “Kavaleria Rustikane” të Pietro Maskanjit të vënë në skenë nga Teatri i Operës dhe i Baletit. Në vitin 1961, kur ishte vetëm 33 vjeç, Besa Imami për meritat e saj artistike do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar”.

Vetëm para disa ditësh, nga një propozim i Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” ajo është nderuar nga Gjakova, vëndlindja e saj  edhe me titullin “Nderi i skenës shqiptare”.

Top Channel