Presidenti Nishani mesazh ngushëllimi familjarëve

22/09/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi, ngushëllon
familjarët e aktores së shquar të skenës dhe ekranit shqiptar Besa
Imami.

“Ky lajm më ka prekur jashtëzakonisht thellë dhe është një humbje e madhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, teatrin në veçanti dhe gjithë shoqërinë shqiptare. Besa do mbahet mend gjithmonë, se e vuri qenien e jetës së saj në shërbim të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, duke u bërë një nga figurat më të shquara në këto dy gjini artistike. Do kujtohet prej artdashësve të shumtë  për interpretimin e përsosur të personazheve historike të gruas shqiptare si ‘Donika e Skënderbeut’, por edhe roleve të shumtë me përmbajtje social-psikologjike, mitologjike, patriotike, emancipuese, etj., të cilët jepnin kurdoherë mesazhe kulturë formuese”, shkruan Nishani.

Kreu i shtetit theksoi ndër të tjera se aktorja Imami i ka dhënë nder dhe krenari teatrit, kinematografisë me rolet e shumta që ka luajtur në skenë dhe kinematografi.

“Duke ndarë këto momente të hidhura me ju, të dashurit e saj, dhimbjen time më të thellë, jam i bindur se kujtimi dhe vepra e saj kulturore ne fushën e teatrit, kinematografisë dhe operës shqiptare do të kujtohen dhe mbeten gjallë si një pasuri e përjetshme për të gjithë kombin shqiptar. U prehtë në paqe shpirti i saj!” – thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Kreut të Shtetit.

Top Channel