Qëllohet me armë në shkollë

22/09/2014 00:00

Një nxënëse në gjimnazin e fshatit Gjorm është qëlluar me armë zjarri në
shpatull dhe në koke nga një tjetër nxënës i kësaj shkolle.

Autori i ngjarjes 17 vjeç, me inicialet A. Arshija është arrestuar nga policia një orë pas ngjarjes së rëndë. Ndërsa vajza është dërguar në spitalin e qytetit të Vlorës, ku ndodhet në sallën e reanimacionit në gjendje të rëndë. Sipas dëshmive të para, dy adoleshentët ndodheshin në ambientet e shkollës kur ka ndodhur ngjarja.

Vajza shqetësohej shpesh nga 17-vjeçari, që sipas nxënësve mbante vazhdimisht armë me vete. Pas një debati mes dy të rinjve, A. Arshija ka qëlluar drejt 16-vjeçares, e cila ka marrë një plumb në shpatull dhe një tjetër në pjesën anësore të kokës.

Policia ka marrë nën mbikëqyrje të dyja familjet për të shmangur ndonjë përplasje për shkak të gjendjes shumë të acaruar. Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka reaguar lidhur me ngjarjen duke dhënë urdhër për shkarkim të menjëhershëm të mësuesit dhe drejtoreshës së shkollës.

Ndërsa Partia Demokratike, duke denoncuar cënimin e rendit dhe sigurisë nga kjo ngjarje, ka akuzuar qeverinë se po mundohet ta mbulojë atë për shkak se personat e përfshirë në të kanë lidhje me Partinë Socialiste.

“Kur djali i mësueses kujdestare shkon me pistoletë në shkollë dhe qëllon një nxënëse janë tronditur dy shtylla: rendi dhe siguria. Por ka edhe një devijim, me policinë që heton në favor të autorit. Kërkohet që ngjarja të klasifikohet si gërvishtje pasi familja e autorit është aktiviste dhe mbështetëse e PS. Gjithashtu duhet mbuluar ngjarja pasi drejtoresha e shkollës është kryetarja e zyrës së PS të zonës”, ka deklaruar koordinatorja për mediat në PD, Silvi Bardhi.

Top Channel