Vdekja e Olldashit, Prokuroria mbyll hetimet

22/09/2014 00:00

Pas 10 muajsh hetime, Prokuroria ka pushuar procedimin penal për vdekjen
e deputetit të ndjerë Sokol Olldashi, i cili, sipas organit të akuzës,
ka humbur jetën për shkak të shokut të rëndë traumatiko-hemoragjik, që
iu shkaktua në aksidentin tragjik të 20 nëntorit 2013.

Në këtë mënyrë, prokuroria ka pushuar procedimin penal Nr.7675 viti 2013, për veprën penale të parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal.

Sipas Prokurorisë, shkak i aksidentit ka qenë vetë drejtuesi i mjetit, i cili në mbrëmjen me shi të 20 nëntorit, ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, duke larguar dyshimet se pas aksidentit automobilistik, mund të kishte prapaskena të ndryshme.

Organi i akuzës ka dalë në përfundimin se, makina e një prej ish-drejtuesve më të lartë të Partisë Demokratike është përmbysur dhe se ish-deputeti Olldashi e ka humbur jetën nga pakujdesia.

Përmes një komunikate për shtyp nga zyra e prokurorisë, kjo çështje konsiderohet e mbyllur.

“Duke analizuar provat e administruara në këtë material kallëzues, rezulton se ngjarja ku ka mbetur i vdekur shtetasi Sokol Olldashi, ka ndodhur si rezultat i aksidentit automobilistik.

Nga provat e marra, provohet se shtetasi Sokol Olldashi, duke drejtuar automjetin e tij tip Benz me targë AA 003 HN, në vendin e quajtur fshati Mushqeta, ka dalë nga rruga duke u përmbysur dhe për pasojë ka humbur jetën vetë drejtuesi i mjetit, shtetasi Sokol Olldashi.

Për sa më sipër, procedimi penal Nr. 7675 viti 2013 për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar nga neni 290 K.Penal, duhet pushuar, pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”,  lexohet në njoftimin e Prokurorisë.

Top Channel