Shërbimet sekrete greke janë vënë në alarm pas informacioneve se në radhët e ISIS janë rreshtuar edhe shtetas grekë.

Lajmi publikohet nga mediat vendase dhe i referohet një burimi të shërbimeve sekrete. Sipas informacioneve të para, këto të fundit kanë konfirmuar identitetin e një 27-vjeçari, i cili ka marrë shtetësinë greke në vitin 2001, ndërsa dy persona të tjerë që kanë udhëtuar nga Greqia janë vrarë në luftime.

Burimet policore thanë se 27-vjeçari është rekrutuar prej nënës së tij, e cila ndodhet në Siri, dhe nëpërmjet rrjeteve sociale propagandon xhihadin. Ndërsa shërbimet sekrete greke kanë identifikuar edhe 7 anëtarë të tjerë të organizatës famëkeqe islamike, që jetojnë ende në Greqi dhe po tentojnë të largohen drejt Sirisë, për t’u rreshtuar përkrah luftëtarëve islamik në Levant.

Sipas burimeve, rekrutimi i tyre është bërë në ambientet e fshehta, që përdorin anëtarët e sekteve muslimane për t’u falur, pasi në kryeqytetin helen ende nuk është bërë i mundur ndërtimi i një xhamie, ku anëtarët e fesë islame të kryejnë ritet e tyre fetare.

Autoritetet thonë se po monitorojnë me kujdes situatën, ndërsa kontradiktore janë edhe shifrat se sa janë anëtarët e rrjetit islamik në Greqi. Dyshohet se numri i tyre llogaritet në disa dhjetra ose qindra, por sipas autoriteteve greke celulat islamike janë nën kontroll të rreptë prej shërbimeve greke dhe atyre amerikane.

Vetëm pak muaj më parë policia greke, në bashkëpunim me shërbimet turke dhe amerikane të inteligjencës, arrestuan disa shtetas turq me origjinë kurde, të dyshuar si anëtarë të organizatave terroriste, ndërsa shërbimet greke po hetojnë edhe një numër emigrantësh nga vendet e Lindjes së Mesme, si anëtarë të celulave xhihadiste.

Kurse në doganën e Evros u sekuestrua një kamion me ndihma ushtarake për luftëtarët e ISIS. Por organet policore greke, të tilla episode i konsiderojnë sporadike dhe të pa organizuara mirë.

Top Channel