Turqia mbyll kufirin me Sirinë

22/09/2014 00:00

Turqia nisi të mbyllë një pjesë të pikave kufitare me Sirinë, pas njoftimeve se gjatë dy ditëve të fundit në vend kanë hyrë të paktën 130.000 refugjatë kurdë.

Vetëm një ditë më parë, forcat turke të sigurisë u përleshën me kurdët e protestonin në shenjë solidariteti me të shpërngulurit.

Disa prej demonstruesve, madje, thuhet se kanë tentuar të hyjnë në Siri për t’iu bashkuar luftës kundër ISIS-it. Thirrjet për një veprim i takojnë Partisë Punëtore të Kurdistanit, një grup i jashtëligjshëm militant, i cili ka luftuar prej dekadash të tëra për autonomi nga Ankaraja.

Shumica e refugjatëve janë nga Kobane, një qytet i kërcënuar prej militantëve të dhunshëm, që vazhdojnë avancimin. Këto muajt e fundit, Shteti Islamik ka marrë nën kontroll territore të mëdha në Veri të Irakut e në Siri, e pavarësisht disa zmbrapsjeve prej trupave irakianë, peshmergëve kurdë e sulmeve ajrore të Amerikës, sërish beteja kundër tij është shumë larg të qenit “e fituar”.

Përpara fluksit të fundit të të ardhurve, në Turqi numëroheshin më shumë se një milion refugjatë sirianë. Të gjithë këta njerëz janë larguar që prej fillimit të revoltës kundër regjimit të Bashar al-Assadit, tre vjet më parë.

Disa prej të mbërriturve rishtazi kanë gjetur strehim në shkolla të tejmbushura, ndërsa autoritetet turke me vështirësi e përballojnë vërshimin e sirianëve, që i largohen dhunës në vendin e vet.

Të premten, Turqia hapi 30 kilometra nga kufiri për të shpërngulurit nga Kobane, i njohur ndryshe edhe si Ayn al-Arab. Por sot, sipas pohimeve të agjencisë së OKB-së për refugjatët UNHCR, nga 9 pika kufitare në zonë, të hapura ishin vetëm 2.

Top Channel