Impiant për mbeturinat në Elbasan

22/09/2014 00:00

Vetëm tre ditë pasi Këshilli Bashkiak i Elbasanit shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore për shkak të mbetjeve urbane, Ministri i Mjedisit Lefter Koka ka deklaruar se është gati zgjidhja për ndotjen tej normave të këti qyteti.

I ftuar në programin e mëngjesit në Top Channel, Ministri Koka ka theksuar se brenda vitit të ardhshëm Elbasani do të jetë i pari qytet në Shqipëri që do të ketë një impiant të përpunimit të mbetjeve urbane, nga ku do të mund të  prodhohet edhe energji.

“Kemi bërë gjithë tratativat, kemi folur me bashkinë e Elbasanit, me Kryeministrin, është kontraktuar dhe firma dhe brenda vitit të ardhshëm do të kemi impiantin e përpunimit të mbetjeve që do të ketë edhe benefite financiare për energjinë”, tha ministri.

Ministri Koka është ndalur edhe tek ndotja e ajrit në Tiranë, situatë të cilën ia ka faturuar trafikut urban, gjelbërimit dhe ndërtuesve.

“Po ti referohemi Tiranës, trafiku urban ka ndikim, gjelbërimi po edhe ndërtimi që shpesh i shikon vendet si vende grumbullimi për mbetjen urbane. por me ligjin e cilësisë që është në pralament dhe me reformën territoriale situata do ndryshojë në vend”, theksoi ministri.
 
Në ditën ndërkombëtare pa makina Ministri Koka ka bërë një apel edhe për shoqërinë, që duhet të jetë më e ndjeshme ndaj mjedisit, pasi ka një ndikim të drejtpërdrejtë mbi shëndet.

“Deri para ca vjetësh mjedisi ishte çështje e dorës së dytë, sot ka ndryshuar pak. Por edhe trafiku, edhe ndërtimi, edhe gjelbërimi ndikojnë në mjedis, ndaj shoqëria e gjitha duhet të japë kontributin e vet”, tha ministri Koka.

Top Channel