Kerry takon ministrin e Jashtëm iranian

22/09/2014 00:00

Konsiderohet një takim kokë më kokë tepër i rrallë, ai i Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, me ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, i zhvilluar në një hotel të Nju Jorkut, ku krerët e diplomacive të të dy vendeve, prej kohësh kundërshtarë, biseduan me njëri-tjetrin për më shumë se një orë.

Nga pohimet e vetë Kerryt, qëllimi i Uashingtonit është të shënohet përparim në negociatat e fokusuara tek aktivitetet atomike të Iranit, në këmbim të fundit të sanksioneve të lidhura me ambiciet e tij bërthamore.

Dy kryediplomatët ndodhen në Nju Jork, për takimin e kësaj jave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Një zyrtar amerikan tha se Kerry ka si qëllim, që këtë javë të shënohet përparim në bisedime dhe, nëse do të jetë e nevojshme, me homologun e tij Zarif do të takohet përsëri.

Irani dhe grupi “5 plus 1”; ku bëjnë pjesë Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara; përballen me afatin e caktuar në muajin Nëntor për një marrëveshje, e cila kërkon që Republika islamike të pakësojë pasurimin e uraniumit, në këmbim të heqjes së masave shtrënguese të Perëndimit.

Por, temë diskutimi, në mënyrë të pashmangshme, ka qenë edhe kërcënimi i ISIS-it, tek i cili Shtetet e Bashkuara dhe Irani me shumicë shiite gjejnë një armik të përbashkët.

Mungesa e thellë e besimit, pasojë e mërive shumëvjeçare, i ka mbajtur megjithatë dy vendet në fjalë larg bashkimit publik në një koalicion për mposhtjen e ekstremistëve sunitë të Shtetit Islamik, në Irak e Levant.

Teherani deri tani është mjaftuar me udhëheqjen e një pjese të luftës kundër xhihadistëve të ISIS-it, ndërsa Shtetet e Bashkuara po kufizohen te mësymja ajrore kundër luftëtarëve të organizatës së dhunshme.

Top Channel