Blair: Trupa tokësore kundër ISIS

22/09/2014 00:00

Ish-kryeministri britanik Tony Blair ka deklaruar se dërgimi i trupave tokësore për të luftuar militantët e Shtetit Islamik në terren nuk duhet të përjashtohet.

Në një intervist për BBC, Blair ka thënë se, “Nëse këta njerëz nuk luftohen në terren, sulmet ajrore mund t’i ndalin ata por jo t’i mposhtin”.

Ai është shprehur se, për momentin Perëndimi nuk ka ngut për të angazhuar trupat tokësore dhe ka shtuar se trupat lokale në Siri dhe Irak mund ta bëjnë një gjë të tillë.

“Është e mundur t’i godasësh ata dhe t’i izolosh përmes sulmeve ajrore, por në njëfarë pike një goditje nga toka do të ishte e nevojshme”, ka vijuar ish-kryeministri.

E ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Franca kanë nisur sulmet ajrore kundër militantëve, zoti Blair ka insistuar gjatë intervistës se këto sulme nuk mjaftojnë.

“Nuk po them se ne në Perëndim duhet ta bëjmë këtë. Do të ishte mirë që këtë ta bënin ata njerëz që janë tashmë në terren dhe që kanë interesa më imediate dhe më direkte për t’i luftuar ata”, ka theksuar Blair.

Ai ka shtuar më tej se, nuk mendon që në çdo rrethanë opsioni tokësor duhet përjashtuar dhe se Perëndimi ka forca të afta për t’i bërë ballë këtij kërcënimi.

Mbretëria e Bashkuar nuk e ka përjashtuar bashkimin me SHBA dhe Francën për sulme në Siri dhe Irak, por sipas ish-kryeministrit, përfshirja në një moment më të vonshëm do të ishte e komplikuar.

Top Channel