Paratë e vjedhura do të zëvendesohen nga buxheti

22/09/2014 00:00

Paratë e vjedhura në Bankën e Shqipërisë do të paguhen nga qytetarët. Top Channel ka mësuar skemën përmes të cilës Banka Qendrore do e ngarkojë të gjithë koston e parave të vjedhura drejtëpërdrejtë tek taksapaguesit duke ulur fitimin që ajo transferon në buxhetin e shtetit.

Vjedhja e parave në arkën stok pakësoi kapitalin e Bankës së Shqipërisë me 713 milionë lekë ose 7.1 milionë dollarë. Në këtë situatë drejtuesit e saj kanë vendosur që ta rikuperojnë kapitalin e humbur nga fitimi që banka derdh në buxhetin e shtetit. Kjo do të thotë se vitin e ardhshëm buxhetit të shtetit do t’i mungojnë 7.1 milionë dollarë, para të cilat mund të ishin përdorur për investime apo qëllime të tjera në shërbim të qytetarëve.  

Top Channel ka mësuar se kjo është një çështje, për të cilën ka patur jo pak debate mes Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave. Por në fund vendimi final ka qenë i bankës dhe skema e vendosur nga ajo thërret drejtpërdrejtë qytetarët të paguajnë shumën e vjedhur.

Zyrtarisht banka thotë se janë 713 milionë lekë. Por prokuroria ka hedhur dyshime se shifra mund të jetë disa herë më e madhe. Nëse këto dyshime vërtetohen, atëherë vitin tjetër Qeveria jo vetëm që s’do të marrë asnjë lek fitim nga Banka e Shqipërisë, por mund të detyrohet edhe të marr borxh për të plotësuar kapitalin e humbur të bankës, në kushtet kur prokuroria të paktën deri më tani ka dështuar të gjejë paratë.

Top Channel